More Jahë, nëse del kështu si thua ti, atëherë të kam krushkun e pare!
Ish i burgosuri, Jahja Lluka, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka kujtuar ditën e lirimit të tij nga burgu i Pozharevcit, si dhe peripetitë gjatë udhëtimit nga Pozharevci e Nishi e deri në Rozhaje e Pejë. Poashtu Lluka ka shkruar edhe për premtimin e njërit nga të burgosurit i cili pasi ka kuptuar nga Jahjaja dhe të burgosurit tjerë të liruar, nga gëzimi iu ka drjetuar Llukës me këtë premtin: More, Jahë, nëse del kështu si thua ti, atëherë të kam krushkun e pare!
Postimi i plotë i Jahja Llukës:
KTHIMI, TAKIMI, KULLAT…
Pas një kohe të gjatë të vuajtjeve nëpër burgjet e Serbisë, erdhi dita e lirisë, dita e kthimit në Kosovë. Isha i gëzuar se erdhi dita e bashkimit me familje, shokë e farefis dhe momenti i bashkimit me Atdheun tim, me djalin tim. Gëzimi im ishte i pjesërishëm, pasi që në burgjet e Serbisë lash me qindra shqiptarë, të cilët po vuajnë në kushte të rënda, pa ushqim të mjaftueshëm, veshëmbathje, pa shtrojë e mbulojë dhe më shumë maltretime. Zoti iu ndihmoftë dhe të kenë shëndet e jetë të gjatë!
Rruga e kthimit ishte e gjatë: nga burgu famkeq i Pozharecit, nëpër Serbi. Së pari në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, në qytetin e Nishit, ku pritëm një shok, i cili u lirua atë me vendimin e gjykatës serbe. U hap dera dhe punëtorja e Kryqit të Kuq i thotë një të riut që të ulet dhe të presë. Djaloshi ishte rrahur dhe ende nuk e kishte të qartë se ku gjendet.
-Nga je, nga cili burg të liruan!?
Djaloshi mbeti i shtangur dhe, pas pak, shtoi:
-Po, mos, jeni ju shqiptar!?
-Po. Unë jam Jahjaja. Ky është Ganiu, Ekremi, Avniu, ky është Fatmiri…!
-Unë jam Sali Baruti! Çka po pritni këtu?
-Po e presim njëfarë Baruti. Pastaj po shkojmë në Kosovë. Për disa orë do të jemi në Kosovën e lirë…
-More, Jahë, nëse del kështu si thua ti, atëherë të kam krushkun e pare!
Të gjithë u qeshën, pa ndonjë koment.
Prej Nishi ishte rrugë e gjatë deri në Rozhajë. Aty na priti policia slave, e cila filloi të na provokojë,por, njëri prej tyre iu drejtua kolegëve të vet:
-O të mjerë, mos i ngacmoni se ata pas pak do t’i presin si heronj. Nuk e vëreni tërë atë popull që po i pret atje lartë!
Erdhi edhe momenti i takimit me familjen, me nënën, fëmijët, me gruan, me qindra shokë, miq dhe farefis. Kishte këtu lotë gëzimi, puthje, por dëgjohej edhe daullja dhe kënga e bukur shqipe. Nga Rozhaja zbresim nëpër Kullën e Zhlebit, drejt Pejës. Dola në dritare të automobilit dhe shikoja Pejën, Qytetin e Haxhi Zekës, me kullat e kohës që e zbukurojnë, madhështojnë. Kullat? Kulla e Bardhë e Besa Besës, aty ku burrat shqiptarë lidhqn besën pqr komb e atdhe. Automobili po i afrohej qytetit tim të dashur… Një kohë gjatë e ëndrruar.
-Po kullat s’duken?! Pyeta vajzën time. Linda, bija ime, cili është ky qytet?
-Peja, Babi!
-A je e sigurt, mos po më mashtroni!
-S’ka shaka. Peja është…
Tani Kosova e fitoi lirinë, populli i saj befasoi gjithë botën me kthimin biblik. Kjo nuk është shënuar ndonjëherë në historinë e botës.
Tani kemi për detyrë ta rindërtojmë atdheun, ta bëjmë më të bukur se kurrë ndonjëherë më parë.