Morën kritika nga opozita, Sveçla: Vendimi i sotëm nuk ka të bëjë me Mini-Shengenin

21 maj 2021 | 22:31

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.

E kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj e ka kritikuar ashpër vendimin e sotëm të Qeverisë Kurti për të nisur zbatimin e marrëveshjes ballkanike të iniciuar vite më parë nga procesi i Berlinit për lëvizjen e qytetarëve mes vendeve të rajonit.

“Kur kishte nisur kjo iniciativë e cila Kosovën nuk e trajton barabartë me vendet tjera, Albin Kurti e kishte quajtur ‘Jugosllavi e re’”, ka thënë Hoxhaj.

E përmes një postimi në Facebook, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i është përgjigjur kritikëve, duke thënë se vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-Schengen, por ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë.

“Vendimi në mbledhjen e sotme nuk ka të bëjë fare me mini-Schengen, por ka të bëjë me nisma në kuadër të procesit të Berlinit në të cilat Kosova duhet të jetë palë e barabartë. Procesi i Berlinit është ide dhe nismë e kancelares Merkel, kurse zona mini-shengen apo më saktë Novi Sad është ide e Vuçiq dhe mbështetet nga ai. Qeveria e Kosovës mbështet bashkëpunimin rajonal mbi bazën e barazisë dhe reciprocitetit mes palëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në nder të Ditës Botërore…