Morën paga pa shkuar në punë, ndalohen katër zyrtarë të komunës së Novobërdës
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar për ndalimin e katër personave, zyrtarë të Komunës së Novobërdë, nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas njoftimit ata dyshohen se kanë mundësuar marrjen e pagës në periudhë prej tre vitesh në shumë 13 mijë euro pa u paraqitur fare në punë.
“Me datë 22 prill 2022, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit e në bashkëpunim me Policinë e Kosovës NjHRKEK në Gjilan, janë ndaluar katër zyrtarë të Komunës së Novobërdës, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të njëjtit dyshohen që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë mundësuar marrjen e pagës në periudhën kohore prej 3 vitesh në shumë prej 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro pa u paraqitur në punë, duke dëmtuar buxhetin e Komunë së Novobërdës, në shumën e lartshënuar”, është thënë në njoftim.