Morën pjesë në trajnimin e ushtrisë ukrainase, Maqedonci dekoron ushtarët e FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka dekoruar me medalje ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës që kanë marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar “Interflex”.
“Me këtë rast, për performancën e jashtëzakonshme dhe kontributin e dhënë në kuadër të operacionit ‘Interflex’, ministri i dekoroi ata me medalje për ‘Pjesëmarrje në Operacione Ndërkombëtare’. Maqedonci ka shprehur mirënjohje për ushtarakët ‘që me profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e treguar gjatë shërbimit në këtë operacion përfaqësuan denjësisht Republikën e Kosovë’”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Sipas këtij njoftimi, Maqedonci ka thënë se Ukraina do të triumfojë përballë Rusisë. “Në këto periudhë, mbështetja ofruar Ukrainës është qenësore që përballë agresorit e drejta të triumfojë”, citohet të këtë thënë Maqedonci.
Në këtë operacion, ushtarakët e FSK-së për gjashtë muaj me radhë, përkrah ushtrisë britanike dhe dymbëdhjetë shteteve të tjera pjesëmarrëse kanë ofruar trajnime për Forcat e Armatosura të Ukrainës në nivelin taktik dhe luftarak.