Mori dhurata bileta për Formula 1 e udhëtim privat me avion, dënohet ish-ministri në Singapor
Një ish-ministër në Singapor është dënuar me 1 vit burg nën akuzën e korrupsionit, në një prej gjyqeve të profilit të lartë që ka mbërthyer kombin e pasur.
Subramaniam Iswaran u deklarua fajtor për pranimin e dhuratave me vlerë më shumë se 403,000 dollarë ndërsa ishte në poste publike, si dhe për pengimin e drejtësisë.
62-vjeçari raportohet të ketë pranuar dhurata të ndryshme përfshirë këtu bileta për Çmimin e Madh të Formula 1, një biçikletë Brompton T-line, alkool dhe një udhëtim me avion privat.
Gjyqtari Vincent Hoong, i cili mbikëqyri çështjen në Gjykatën e Lartë të Singaporit, theksoi se krimet e ish-ministrit të transportit ishin abuzim me pushtetin dhe rrezikonin besimin e njerëzve në institucionet publike.
Iswaran është figura e parë politike e Singaporit që gjykohet në gjykatë në gati 50 vjet.
Kombi krenohet me imazhin e tij të pastër dhe mungesën e korrupsionit. Por ai imazh dhe reputacioni i Partisë qeverisëse të Veprimit Popullor, kanë marrë një goditje si rezultat i çështjes së Iswaran.
Ligjvënësit janë ndër më të paguarit në botë, me disa ministra që fitojnë më shumë se 1 milion $.
Ministrat nuk mund të mbajnë dhurata nëse nuk i paguajnë qeverisë vlerën e tregut të saj dhe duhet të deklarojnë gjithçka që marrin nga njerëzit me të cilët kanë marrëdhënie biznesi.
Akuzat kundër Iswaran u shfaqën për herë të parë në korrik të vitit të kaluar. Pothuajse të gjitha akuzat burojnë nga marrëdhëniet e tij që përfshinin miliarderin, manjatin e pronave Ong Beng Seng, i cili ndihmoi në sjelljen e Çmimit të Madh të Formula 1 në Singapor. Ong Beng Seng është gjithashtu nën hetim.