Morina: Çlirimtarët tanë janë në Hagë pa faj, kriminelët serbë janë të lirë
Ndonëse kanë kaluar 23 vjet nga masakra e tmerrshme e forcave serbe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit, askush prej autorëve të këtyre krimeve nuk ka dalë para drejtësisë. Të mbijetuarit e kësaj masakre sot përkujtojnë me dhimbje të thellë më të dashurit e tyre dhe shprehen të gatshëm të dëshmojnë në Hagë për krimet serbe.
Naim Hakolli, i mbijetuari i masakrës në Çikatovë të Vjetër, tregon për KosovaPress se si policia serbe në orët e hershme të mëngjesit kanë masakruar 23 pjesëtarë të lagjes Morinë, kryesisht burra, fëmijë e pleq.
Hakolli është shprehu se institucionet nuk po vazhdojnë të zbardhin rastin dhe të arrestojnë kriminelët serbë.
“Unë jam vetë rasti që kam qenë i pranishëm në këtë masakër, këtë torturë barbare serbe, burra, fëmije, pleq janë të gjithë këtu…Unë e kam përjetuar këtë rast të luftës është një rast shumë i rëndë dhe nuk po e di qysh po munden institucionet tona të mos i arrestojnë kriminelet serbë që kanë bërë këto krime të mëdha. Është një krim i papërshkrueshëm dhe kam emocione të mëdha kur ndodhem këtu…Fëmijët i kanë masakruar kur kanë ardhur në orën gjashtë të mëngjesit, nuk dua ta përkujtoj hiç këtë rast”, tha Hakolli.
Ai gjithashtu shtoi se është i gatshëm të shkojë edhe në Hagë për të dëshmuar për pafajësinë e bashkëluftëtarëve të tij.
“Unë kisha shkuar edhe në Hagë atje, kisha ditë çka të tregoj për këtë rast… Shkojnë i marrin tonët të pafajshëm dhe i kanë burgosur atje. Këta duhet më parë t‘i burgosin serbët që i kanë bërë këto masakra”, tha ai.
Ndërsa Haki Morina shprehet se maskara e 17 prillit në lagjen Morinë është një tragjedi e madhe për të gjithë fshatin.
“Sot është dita më tragjike për fshatin tonë, dita e 17 prillit ka ndodhur maskara e tmerrshme pikërisht në lagjen Morinë, data 17, ditë e shtune ka qenë kur janë masakruar 23 familjarë tanë”, tha ai.
Morina akuzon Serbinë se i ka zhdukur kufomat me qëllim për t ‘i fshehur krimet e tyre. Ai tha se deri në vitin 2015 nuk kanë qenë në dijeni për kufomat e tyre.
“Serbia e ka bërë ekzekutimin i ka masakruar me mendimin për t’i zhdukur krimet e luftës. Ata i kanë marrë edhe kufomat dhe i kanë zhdukur deri në vitin 2015. Ne nuk kemi ditur as për kufomat e tyre… E kemi ditur që janë masakruar dhe i kanë pushkatuar. Ne bashkëluftëtarët i kemi varrosur nëpër vendet e krimit pas një kohe i kanë zhvarrosur dhe i kanë dërguar në Batanicë të Serbisë, janë munduar t’i fshehin kufomat dhe krimet që kanë bërë në fshatin tonë”, tha Morina.
Ndërsa, ai për KosovaPress ka thënë se bashkëluftëtarët janë duke u gjykuar pa faj.
“Udhëheqësit e çlirimtarët tanë gjykohen, ndërsa kriminelët serbë janë të lirë dhe besa edhe në Kosovë ka kriminelë të Serbisë, ndërsa çlirimtarët tonë të dënohen që e mbrojnë vendin tyre. Kjo është tmerr për ne”, tha ai.
Ndryshe, sot janë mbushur 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.
Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.