Morina: Feronikeli nuk heq dorë nga titulli

03 prill 2018 | 18:59

Tetë pikë diferencë me skuadrën lidere, Dritën, nuk e bëjnë pesimist mesfushorin Albutrint Morina. Ai ka thënë se me Feronikelin mund ta fitojnë titullin e kampionit. 

“Në ndeshjen ndaj Llapit kemi pasur në përgjithësi një ndeshje pozitive. Ne e kemi kërkuar më shumë fitoren duke krijuar edhe shumë raste shënimi, por fati nuk ishte në anën tonë dhe ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë”, ka thënë Albutrint Morina një ditë pas ndeshjes derbi në Vala Superligë në mes të Feronikelit dhe Llapit (2-2). Morina ishte autor i golit të dytë, kurse në këtë ndeshje e arriti shifrën e shtatë golave.

Edhe pse luan në pozitën e mesfushorit vetëm në sezonin pranveror, ka shënuar tre gola dhe hynë në garë edhe me shumë sulmues të elitës për numrin e golave. “Bashkëlojtarët i kam shumë cilësorë dhe po krijojnë hapësira të mëdha që po më mundësojnë të shënoj gola. Jam i lumtur për numrin e golave të shënuara dhe më shumë kur këto gola i ndihmojnë skuadrës për të arritur deri te rezultatet pozitive”, ka shtuar ai.

Aktualisht Feronikeli zë vendin e katërt në elitë me 39 pikë të grumbulluara, 8 pikë më pas se skuadra e Dritës që është lidere e klasifikimit. Pavarësisht prej kësaj diference, Morina është optimist se “Nikeli” mund të triumfojë në këtë garë.  “Kemi mbetur paksa mbrapa skuadrës lidere, Dritës, por nuk jemi dorëzuar dhe nuk do të dorëzohemi derisa matematika më mbanë në garë për titull. Feronikeli ka skuadër shumë cilësore dhe gjithçka është e mundur për t’u arritur”, ka thënë Morina për “Epokën e re”.

Ditë më parë në shtabin teknik të skuadrës së Feronikelit janë bërë ndryshime ku në vend të Ismet Munishit është emëruar Sylejman Starova. Lidhur me këto ndryshime, ish-mesfushori i Vëllaznimit ka deklaruar: “Për ne futbollistët është shumë e vështirë ku ndryshohen trajnerët, pasi na duhet t’i përshtatemi idesë së tyre. Është herët të vlerësohet trajneri Starova, por mund të them se ai është një emër i madh i futbollist shqiptar dhe shpresoj të arrijmë suksese”.

Albutrint Morina është ndër lojtarët më në formë gjatë këtij edicioni, pasi në shumë ndeshje ka qenë vendimtar për Vëllaznimin në sezonin vjeshtor, kurse në pranverë po paraqitet mirë edhe për Feronikelin.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
U lind më 24 qershor 1967 në Malishevë, në një…