Morina: Feronikeli vjet dhe sivjet
Albutrint Morina e ka zbuluar dallimin e Feronikelit të tashëm dhe atij të vitit të kaluar kur arriti të shpallet kampion dhe ta fitojë kupën.
Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Feronikeli, në mesjavë e humbi derbin ndaj Llapit (1-2) dhe me këtë rast humbi edhe pozitën e parë në renditjen tabelore të IPKO Superligës. Futbollisti Albutrint Morina ka thënë për “Epokën e re” se skuadrës nga Drenasi, në krahasim me edicionin e kaluar, është duke i munguar stabiliteti në rezultate, pasi në një ndeshje fiton me shumë gola dallim e në tjetrën pëson humbje.
Sipas tij, në këtë situatë ka ndikuar edhe lodhja pas pjesëmarrjes në garat evropiane që ishin historike për skuadrën e Feronikelit.
“Si çdo humbje tjetër, edhe kjo kundër Llapit është e vështirë për t’u pranuar, por që ndodh në futboll. Llapi ka ekip shumë të fortë. Në anën tjetër, nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Ndryshimi i edicionit të kaluar me të sivjetmin është se vitin e kaluar vazhdimisht kemi pasur rezultate pozitive dhe kemi qenë më stabilë, kurse sivjet kjo vazhdimësi po na mungon. Sigurisht kanë ndikuar disa faktorë, sidomos ndeshjet e Evropës, në të cilat kemi pasur shumë ngarkesë”, ka thënë Morina.
Ndeshjen e radhës skuadra e “Niklit” e zhvillon të dielën në stadiumin “Riza Lushta” kundër Trepçës ’89. Futbollisti Morina, duke folur për këtë përballje, ka bërë me dije se skuadra kampione në çdo ndeshje shkon për fitore. “Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë kundër Trepçës ’89, e cila si vendëse luan një futboll të mirë, por ne jemi kampionë aktualë dhe normalë që do të shkojmë për fitore në çdo ndeshje, përfshirë edhe këtë në Mitrovicë”, ka deklaruar ai.
Ndryshe nga edicioni i kaluar, hapësirat në formacionin e Feronikelit nuk po janë të mëdha për futbollistin Albutrint Morina, i cili e pranon se nuk është i kënaqur me këtë situatë. Mirëpo, ai zotohet se do të punojë edhe më shumë që të rikthehet në formacionin e trajnerit Dejan Vukiqeviq. “Për dallim nga edicioni i kaluar, në këtë edicion hapësirat kanë qenë më të pakta. Normalisht se është e vështirë për një futbollist kur nuk luan, por duhet të punojë ende më shumë që të kem më shumë hapësirë”, ka përfunduar Morina.
Aktualisht skuadra e Feronikelit zë vendin e katërt me 15 pikë të grumbulluara, dy pikë më pak se tri skuadrat e para në tabelën e klasifikimit.
/Veton ZYMBERI/