Morina: Kam ofertë nga Ballkani dhe tri klube të tjera

24 dhjetor 2019 | 17:13

Albutrint Morina është lënë i lirë nga Feronikeli, por ai brenda kësaj jave pritet të vendosë për klubin ku do ta vazhdojë karrierën. Ballkani është një prej klubeve që i ka bërë ofertë.

Ish-kapiteni i Vëllaznimit të Gjakovës, Albutrint Morina, është në mesin e shtatë lojtarëve që skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, vendosi t’i lirojë pak kohë më parë. Morina ka thënë të hënën për gazetë se vendimi ka qenë befasues për këta futbollistë, për faktin se të njëjtët e ndihmuan skuadrën nga Drenasi të dalë fitimtare në të dy frontet: kampionat dhe garën e Kupës. Përveç Morinës, lojtarët e tjerë që janë lënë të lirë janë Astrit Fazliu, Kastriot Rexha, Arbër Prekazi, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj dhe Milosh Krkotiq.

“Normalisht se është vendim që na ka befasuar të gjithëve, duke e ditur kontributin tonë për fitimin e trofeve. Klubi e ka një projekt me lojtarë të rinj dhe ne e respektojmë këtë vendim dhe i dëshiroj suksese”, ka thënë Morina, i cili ka bërë me dije se kishte planifikuar edhe më herët që në janar të ndahet me skuadrën e “Niklit”, pasi minutat që i kishte në dispozicion në sezonin vjeshtor ishin të paktë. “Të them të drejtën, edhe plani im ishte të ndërroj ambient gjatë këtij afati për shkak edhe të minutave të paktë në gjashtë muajt e fundit. Besoj se ky vendim i klubi do të më shërbejë për të mirën time që të gjej një skuadër që mund të kem më shumë hapësirë”, ka shtuar ai.

Deri tash nga Feronikeli zyrtarisht është larguar vetëm Astrit Fazliu që është rikthyer në skuadrën e Dritës, derisa besohet se edhe Arbër Prekazi ka arritur marrëveshje me skuadrën kampione të vjeshtës, Ballkanin. Edhe futbollistët e tjerë janë në negociata me klubet e tjera, derisa Morina ka marrë katër oferta, në mesin e të cilave edhe nga Ballkani.

“Po, mund të konfirmoj se jam në bisedime me katër klube. Një prej tyre është Ballkani. Emrat e tri skuadrave të tjera me dëshirë nuk do t’i zbuloja, por mund të them se njëri klub që me ka bërë ofertë është në garë për titull. Për të ardhmen do të vendos deri në fund të kësaj jave”, ka thënë Morina për “Epokwn e re”. Skuadra e Feronikelit sezonin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë me 27 pikë, kurse është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
294 nxënës të martën kanë marrë sete me libra si…