Morina: Kryeziu e meritoi ftesën nga Kosova U21
Vetëm tre muaj me skuadrën i mjaftuan Arbnor Morinës që të nxjerrë lojtarë të gatshëm për Përfaqësuesen U21 të Kosovës. Sulmuesi i rrezikshëm, Almir Kryeziu, ka pranuar ftesën e Kosovës U21.
Trajneri i skuadrës, Arbnor Morina, në një bisedë me “Olle” ka treguar që është shumë i kënaqur me këtë ftesë, teksa beson që shumë shpejt edhe futbollistë të tjerë të kësaj skuadre do të bëhen “legjionarë”. “Natyrisht se ndihem shumë i kënaqur me këtë lajm. Puna, serioziteti, përkushtimi dhe sakrifica si dhe disiplina gjatë stërvitjeve kanë bërë që Almir Kryeziu ta meritojë plotësisht këtë ftesë”, ka thënë Morina.
“Unë besoj se shumë shpejt edhe futbollistë të tjerë nga KF Arbëria do ta veshin fanellën e Kombëtares së Kosovës U21, sepse e meritojnë plotësisht. Kështu është kur talentit që ke, ia shoqëron edhe gjithë përkushtimin dhe angazhimin dhe, natyrisht, kjo shpërblehet në fund”, ka deklaruar Morina.