Mos-anëtarësimi në KiE/ Musliu-Shoshi: Kemi dështuar në hapin final

02 janar 2025 | 22:49

Një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti ishte patjetër raporti pozitiv i Dora Bakoyannis, raportuesës së Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili raport do të mund t’i hapte rrugën shtetit tonë për të ecur tutje në integrimin në këtë institucion të BE-së.

Megjithatë, anëtarësimi i Kosovës nuk u fut në agjendën e takimit të fundit për këtë vit.

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, vlerëson se kemi dështuar në hapin final për anëtarësim të Kosovës në KiE.

Në një intervistë për IndeksOnline,  Musliu-Shoshi deklaroi se është kryer shumë punë deri në marrjen e të drejtës së fjalës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, marrë parasysh faktin që Kosova në fillim ishte vetëm mysafir në takimet e AP-së.

lg.php.gif“Në vitin 2019-2020, ishte hera e parë që unë kam përfaqësuar PDK-në dhe Republikën e Kosovës në AP, dhe atmosfera ka qenë gjithmonë në mbështetje të Republikës së Kosovës, deri në momentin kur qeveri jonë me aleatët tanë patën një përçarje të thellë, një jo-komunikim e jo-koordinim, të mos themi edhe inate në mes shteteve. Ne kemi arritë t’i kemi votat, por në hapin final, ne si shtet kemi dështuar.

Jo si Asamble, sepse si e tillë kemi të gjitha partitë politike të përfaqësuara dhe secila nga to, interesin nacional, përfshirë dhe PDK-ja si partia më e madhe opozitare, ka lobuar, sepse interesin nacional e kemi vendosur mbi interesin personal partiak. Në fund, nuk kemi arritur të jemi në agjendën e Komitetit të Ministrave…”, u shpreh Musliu-Shoshi.

Ajo tha se delegacioni është munduar të argumentojë rëndësinë e anëtarësimit dhe se kishte arritur të marrë më shumë 82 për qind të votave, për anëtarësim të Kosovës. Sipas saj, arsyeja kryesore përse nuk u bëmë pjesë e agjendës është moskoordinimi me aleatë.

“Arsyeja kryesore përse Kosova nuk ka qenë pjesë e agjendës ka qenë moskoordinimi me aleatët dërkombëtarë dhe mos-zbatimi i asociacionit. Tani, një gjë duhet ta kemi të qartë: asociacioni, për të cilin ne e kemi ngritur zërin në vazhdimësi, që është pranar nga Albin Kurti në marrëveshjen e Ohrit, nuk është vetëm një asociacion siç e kanë komunat tjera dhe siç ishte dakordimi në vitin 2015, pa kompetenca ekzekutive.

Le që është një asocioacion me kompetenca ekzekutive dhe jashtëzakonisht problematik për funksionimin e shtetit të republikës tonë, por është edhe një autonomi për serbët brenda përbrenda Kosovës. Një asociacion i tillë është i papranueshëm. Pasi që Albin Kurti e ka pranuar, ky ka qenë kusht themelor që ne të anëtarësohemi në Këshill të Evropës”, shtoi Musliu-Shoshi.

Ajo deklaroi se kanë pritur rezultate pozitive nga KiE-ja, por që obligimet ndërkombëtare për të cilat zotohesh, patjetër që më pas duhet t’i zbatosh.

Për vet faktin që je një shtet i vogël dhe ke mundësi të arrish suksese në arënën ndërkombëtare vetëm nëse ke koordinim me shtetet që janë të fuqishme, në këtë rast me shtetet tona mike si SHBA-ja dhe shtetet e BE-së, mund të arrish që edhe qëllimet e tua që i ke si shtet, t’i ecësh përpara vetëm me bekimin dhe bashkëpunimin që e ke nga këto shtete”, përfundoi Musliu-Shoshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Hamdi Jupe Në hyrje të vitit të ri E…