Mos e atakoni Dakën, s`keni të drejtë
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se të fajësohet kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është e padrejtë dhe e palejueshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi nuk i ka pëlqyer as LDK-së, por ai duhet të respektohet.
Postimi i Mustafës:
Të fajësohet Kryetarja e KQZ-së deri në kërcënim, se po e zbaton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është e padrejtë dhe e palejueshme.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin Etem Arifi, në esencë është i çuditshëm, sepse më shumë përngjan në shkrim të ri të normave kushtetuese, sesa në interpretim të normave ekzistuese, që do duhej të jetë fushëveprim i Gjykatës. Fundja vet aktgjykimi është derivat i lëndës së iniciuar nga LVV.
As neve si LDK, s’na ka pëlqyer. Jo pse kufizon të drejtën e atyre që janë të dënuar për vepra penale të konkurrojnë për mandat ligjvënësi, sepse nuk shkon edhe ligjëvënës edhe shkelës i ligjit, por për faktin se Gjykata e rrëzoi Parlamentin!? Pak si shumë në një demokraci Parlamentare.
Prandaj mos e atakoni zonjën Daka, sepse nuk keni të drejtë. IM