Mos e gjuani me gurë LSI-në, ajo ju bëri milionerë!
Shkruan: Anisa Bahiti
Disa nga njerëzit më të pushtetshëm të LSI-së, ndër vite, po largohen dhe më e bukura është se, bëjnë sikur kanë qenë të persekutuar.
Po largohen ata që LSI-në e kanë pasur më shumë se shtëpinë e tyre, ata që e kanë pasur hotelin e tyre, ose me saktë, suitën me 5 yje. Ata që, kur ishte Berisha në pushtet, ishin drejtorë, deputetë, ministra e kryetarë bashkie e minibashkie. Ata që, kur ishte LSI me Ramën në pushtet, ishin sërish ministra, deputetë e drejtorë. Po largohen duke e gjuajtur LSI-në me gurë, kur, në fakt ata morën vetëm të mira materiale dhe pushtet personal prej saj, ata që mijëra të rinj shqiptarë, një ndër të cilët edhe unë, që votojnë ndër vite, u kanë zënë rrugën dhe i kanë marrë peng të ardhmen. Po. Sepse në pushtet ata favorizonin karrierën e nipave, mbesave, vëllezërve dhe të përkëdhelurve të tyre. Në të njëjtën kohë që deputeti i Beratit ishte Ministër, ishte dhe deputet dhe kishte vëllain drejtor të targave dhe patentave të qarkut të Durrësit. Kështu dhe shume të tjerë…
Fatkeqësisht ata për shumë kohe gëzuan mbështetjen dhe mbrojtjen deri në sektarizëm dhe krahinalizëm të drejtuesve të LSI-së. Aq i dhimbshëm është ky fakt sa, këta mysafirë të “hotelit me 5 yje” po largohen pa paguar, duke ja lënë borxhet në kurriz elektoratit, anëtarësisë dhe rinisë së partisë. Sërish askush nuk u kërkon ndjesë atyre mijëra vetëve për deputetët,ministrat dhe drejtorët të cilët iu vunë mbi kokë ndër vite.
Ishin po ata drejtues që nuk pyetën asnjë ditë elektoratin dhe anëtarësinë a duhet të largoheshin nga parlamenti, a duhet të braktisnin zgjedhjet e pushtetit vendor, duke i lënë njerëzit rrugëve të vetmuar përballë pushtetit më të çmendur të të gjitha kohërave të ortakëruar me oligarkinë vendase.
Për çdo kënd që kishte mendimin ndryshe për këto dy çështje automatikisht kishte një dënim, “pushkatim” politik nga sekti drejtues, pavarësisht kontributeve ndër vite dhe mbështetje pa kusht ndaj deputeteve, drejtorëve dhe ministrave që po i braktisin sot duke shkuar tek “Rilindja”.
Fatmirësisht autorja e këtij shkrimi nuk është më pjesë e asnjë strukture drejtuese të LSI dhe është drejtuese e një media modeste rajonale, si e tillë u bën dy thirrje atyre që po ikin; së pari, mos godisni me gurë partinë që ju bëri milionerë! Dhe të rinjëve; votojeni LSI-në sa më shumë por vetem nëse ajo ka një program konkret dhe strategji reale për ju. Dhe mbi të gjitha kërkojini llogari drejtueseve që të mos ju vënë më në krye vetëm ata që iu përmbushin oreksin sektit të tyre dhe të kërkojnë ndjesë me fakte dhe jo vetëm me fjalë për milionerët që po e shkelmojnë duke ikur tek “Rilindja”!.