“Mos e harro Japoninë, Suzanë” begaton prozën shqipe
Nexhat Rexha
(Aziz Mustafa, “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, “Armagedoni”, Prishtinë, 2020)
Mjeku dhe shkrimtari Azizi Mustafa me përvojën artistike disa dekada më parë ka arritur të shfaqet me vepra letrare në fushën e poezisë dhe të prozës në letërsinë shqipe. Me romanin “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, ai ka krijuar hapësirën më të gjerë krijuese edhe në këtë zhanër. Aziz Mustafa vjen para lexuesit me romanin e realizuar bukur “Mos e harro Japoninë, Suzanë” në këtë lidhje kohësh e të avancimit kulturor.
Trajtimet e ngjarjeve në vepër kanë bashkudhëtimet e përbashkëta në shumë episode, të cilat kanë harmoninë e rrëfimit të pranueshëm, sepse nëpër këto rrugëtime protagonistët e romanit të ofrojnë diçka që krijon të bukurën në jetë.
Romani fillon me melodinë e këngës ‘Suzanne”, melodi e cila bartë ngrohtësinë në shpirtin e protagonistëve, në njohje sa më të mira në përjetimin që krijon realitetin kjo këngë, e cila është edhe moto e zhvillimit të ngjarjeve në roman.
Aziz Mustafa përmes protagonistëve u ka dhënë funksionalitet lidhjeve e konteksteve përmes anës figurative, si realizim dhe mesazhe që bartin referencën për ta arsyetuar botëkuptimin shoqëror në rrethana të këtij fillimshekulli XX, me theksim të bindshëm për t’i riatdhesuar shprishjet e të kaluarës sonë.
Shtrirja e trajtimit të ngjarjeve në roman ka hapësirë të gjerë në planetin njerëzor. Çështja e takimeve për ta ruajtur kontinuitetin e ngjarjeve ka gërshetimet e arritshme sepse Leonard Malaj, mjek me profesion, ka ambicie dhe traditë në përhapjen e vetëdijes kombëtare. Ai në vepër ka ritreguar inserte nga më të ndryshmet për vendin e vet, Kosovën. Duke i ngjyrosur gjithnjë ngjarjet me peizazhet më të arrira, përmes rrëfimeve nga nacionalja në fuqizim me karakterin historik, si blic skena, por që në brendi të tyre ato kanë jetëgjatësi në formulim të rrjedhave kohore. Kontaktet e tij me mjekë nga Stambolli janë të nevojshme , po aq edhe ato të rikthejnë në kohë të kaluar, sepse një nga mjekët që e përkrah me dashuri Lonard Malajn, ka ruajtur prejardhjen e tij shqiptare. Kështu, pastaj krijohet lidhja dhe ruajtja e respektimit të ndërsjellë për njëri-tjetrin jo vetëm si formalitet kulturor në rrethana të përditshmërisë, e në këtë kontekst vjen edhe përkrahja nga mjeku me renome botërore në fushë të mjekësisë. Në këto identifikime ngjarjesh në konferencat shkencore në vende të ndryshme, autori ka përcaktuar një vend me emër dhe nam në botën e qytetëruar siç është Japonia. Pra, doktor Xhemili, doktor Leventi, doktor Adnani, prof. Jani dhe njohja me Suzanën janë hallka që ndërlidhin dhe krijojnë mundësi komunikimi në roman.
Shkuarja e Leonard Malajt në Stamboll për operacion dhe puna e tij në Prishtinë janë njohje të ditëve tona, sepse rrethanat e reja në shtetin e Kosovës kanë krijuar besim dhe mundësi në çështje të hapura të shëndetit. Pra, jemi në realitetin e ditëve tona. Këto trajtime sa janë individuale, po aq janë dhe ndërshtetërore, të cilat kanë krijuar mundësi për qytetarin e Kosovës. Marrëdhëniet ndërshtetërore në rrethanat e reja me një ritëm më të ngadalësuar funksionojnë edhe në shtete të tjera të Evropës. Ndërkaq, përkrahja njerëzore të jep adhurim përmes vlerave bindëse. Autori në roman konkretizon realen si element qenësor për t’i tejkaluar hipotekat e të kaluarës.
Prania e ngjarjeve të rrjedhave historike si përditshmëri aktualitetesh ka zënë vend të rëndësishëm në roman. Autori me pak fjalë ka arritur ta determinojë mesazhin e ndodhive nëpër aktualitetin tonë kombëtar. Brenda këtyre ndërlidhjeve rrëfimet dalin me qartësinë e mendimit dhe interferojnë në objektivitetin e ekzistimit të qenies sonë. Në realitet fati i individit lidhet ngushtë me fatin e kolektivit, kurse këto rrjedha të fatit të protagonistit Leonard Malaj janë aktualizime të periudhës së okupimit serb gjatë shkollimit të tij. Pastaj, fati në familje, shkollimi, ekspozita e pikturës në moshë të re, marrja në bisedë dhe pjesëmarrja e njerëzve të padëshirueshëm, janë rrëfime të cilat shpalosin elementet e diktaturës serbe në Kosovë dhe pastaj shkollimi në Tiranë dhe Zagreb dhe avancimet e tij si mjek në vende të ndryshme të botës, janë pika që e sfidojnë jetën e kryeprotagonistit në roman.
Këto rrëfime e shumë të tjera nga fëmijëria dhe shkollimi janë edhe elemente biografike të të shumë njerëzve të cilët në një mënyrë a tjetër lexuesi e gjen veten.
Dashuria si përjetim dhe ndjenjë nëpër faza të ndryshme të matamorfizimit të njeriut vjen si aktualizim dhe si shpalim i ditarit të jetës sonë. Nëpër këto rrjedha të natyrshme dhe krejt normale për botën njerëzore Azizi, atyre u ka dhënë trajtueshmëri adekuate, sepse shumë karakteristika që bartin popujt, disa çështje të diskutimit mbeten tema tabu. Në kontekstin e këtyre kontradiktave përmes të thënave krijohen njohjet dhe mendimet e tij në parashtrimin e ideve që të japin raporte në ngrohtësi njerëzor.
Ndërtimi i situatave simbolike
Mozaiku i strukturuar përmes protagonistëve konsiston në realitetin e ruajtur në formë ditari. Kjo mënyrë e rrëfimit krijon njohje e situata që identifikojnë personalitete të rëndësishme në roman. Shpalosja e ditarëve nga tre protagonistët e romanit ndërlidh jetën në situata të ndryshme, në vende e kohë të ndryshme, të krijuara nga ngjarjet e periudhës së këtij shekulli. Kjo ka rëndësi për njohjen e botës shpirtërore dhe asaj kombëtare. Ai ta jep mundësinë e depërtimeve të botës shqiptare nëpër rrjedhat e ndërkombëtarizimit përmes gjeneratës së re. Çka do të thotë se bota shqiptare në këto realitete ka krijuar identitetin e saj në avancim të dijes dhe shkencës. Leonard Malaj bartë në vete njohje të shkencës së re në Kosovën e pasluftës. Njohja e tij me disa mjekë të Turqisë dhe vendeve të tjera, krijon rrethana të favorshme për lidhje të reja në njohje e depërtime vlerash shkencore. Këto rrethana, në nivelet më të larta ndërkombëtare, janë edhe satisfaksion e nxitje për lexuesin, sepse përmes kryeprotagonistit Leonard Malaj, përfaqësohet dija e një shtrese të shkollimit tonë. Mozaiku i trajtimit arrin në konkretizim të ideve në roman, aktualizon imazhe dhe narracionet të krijojnë mundësi të përbashkëta të veprimit dhe besimit njerëzor përmes nivelit më të avancuar.
Gjuha dhe stili
Gjuha e komunikimit në rrëfimet e protagonistëve ka të krijuar ndërlidhjet e pranueshme për lexuesin. Situatat e veprimit janë realizim i ruajtur në vete për kohë të caktuar. Shpalosja e raporteve në analet e tyre ka një kohezion të qartë, duke i dhënë fuqi në bartjen e përfaqësimit si vizion, në natyrshmërinë e rrëfimit dhe në plotësime kompozicionale të drejtpërdrejta përmes njohjeve të pazbërthyera në jetën e tyre. Gjuha dhe stili në vepër kanë harmonizim të pranueshëm, sepse rrëfimet e ngjarjeve në komunikim janë përjetime të përafërta me ndodhitë në jetën e të gjitha kulturave. Në këto shkrirje ndjenjash rrëfimtare ngjarjet marrin përjetime universale dhe këto relikte ngjyrosin jetën si në pikturat e artistëve të njohur. Bota njerëzore i ka dallimet dhe përafrimet e tyre, në këtë didaktikë kohore.
Romani i Aziz Mustafës “Mos e harro Japoninë, Suzanë” ka bërë ndërmjetësimin e vlerave njerëzore të cilat bashkëjetojnë të hermetizuara. Ato njëkohësisht kornizojnë nëpër bashkësi të hapura këtë hermetizim, pa dashjen e njeriut progresiv.
Në faqet e romanit autori ka arritur të shkrijë në shqisat e lexuesit të gjitha këto barriera, për atë që ka nuhatje të dashurisë, e përjetimin e melodisë së kënaqshme nga kënga “Suzanne”.
Liria e zemrës si testament
Dashuria si ndjenjë, përjetim nëpër të gjitha variantet e saj, lind dhe krijon diçka që nuk shlyhet në kujtesën e njeriut. Në këtë relacion udhëtimesh, e me të papritura në puthje kohësh, kryqëzohen, shkrihen ëndrrat e dy engjëjve, të cilët në këtë relacion pikëtakimi nuk ndërhyjnë në kohët e kaluara të tyre. Ata, me pak fjalë, zgjidhin nyjat e këtyre vonesave martesore. Dashuritë e kaluara mbeten vetëm si hije, të një dite me diell në mbrëmjen që vjen me rrezatimet e figurave të hënës në shkëlqimin e zemrës së tyre. Magjia e dashurisë depërton deri në intimitet nga bota e një femre holandeze në botën e një shqiptari nga provinca e Kosovës, që dikur nuk njihej askund, po lufta e vitit 1999 e kishte bërë të dëgjuar dhe të përafërt për njerëzit, me kulturë e traditë shteti e njerëzimi. Leonard Malaj dhe Suzana, nga një konferencë shkencore në fushën e mjekësisë kyçin, shkrijnë shikimet e zemrës dhe i japinë lirinë e përjetshme shpirtërore vetes, si testament përjetësie.
Në faqet e romanit lexuesi është kureshtar nga faqja në faqe, jeton me pritjen e një dite më të bukur. Rrëfimi i ngjarjeve në mënyra të ndryshme kohore, krijon edhe distancën e vendeve nga rrjedhin ngjarjet. Ato edhe kështu janë unike sepse në këto ndërlidhje fjala e dhënë konkretizon realitetin e përjetuar besnikërisht nga rrëfimet e protagonistëve.
Në prozën e Aziz Mustafës kemi satisfaksionin e zemrës në lirinë e pritjeve të ëndërruara. Ato vijnë si rezultat i pareshtur për të dhënë nga vetja dashuri. Kjo dashuri ka prekje reale në funksion të ngjashmërive për të hequr nga vetëdija e kohëve tregimin brenda botës në bisedimet tabu. Mënyra e trajtimit të ngjarjeve dhe lidhja e tyre në vende të ndryshme, ngjasojnë me prozën e shkrimtares Alice Munro.
Romani “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, ka avancim në penën krijuese të Aziz Mustafës. Në një mënyrë a formë, proza e tij lidh fate dhe kultura në universin e ngritjeve kulturore. Protagonisti i tij, Leo, kudo që shkon është kërkues i dijes dhe ngritjes profesionale.
Në të gjitha faqet e librit lexuesi i vëmendshëm gjen diçka të veten si përjetim apo merr si mesazh për t’i bashkëkoordinuar tejkalimet e vrazhda që krijon jeta. Testamenti që i jep titullin romanit, prejudikon të bukurën në jetë si pritje përtej nesh. Kjo pritje mund të troket në zemrën e secilit njeri.
Kështu, romani i Aziz Mustafës, “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, begaton vlerën estetike të prozës së sotme, si e këtillë ajo rrezaton në lirinë e leximit dhe shkëlqimin sa më unik në prozën moderne shqiptare.