“Mos e luaj rolin e budallës”, Haradinaj i drejtohet ashpër prokurorit të Gjykatës Speciale
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj edhe sot është duke u marrë në pyetje nga prokurori i Gjykatës Speciale në Hagë.
Gjatë marrjes në pyetje, Haradinaj ka thënë se në dokumentet që u kanë shkuar në zyre ka parë edhe aktgjykime nga gjykatat serbe të vitit 1981.
“Është thënë se gjykata po bëhet për hir se në Kosovë mundet me pas ndikim në dëshmitarë. Të gjitha ato u panë aty, emra dhe mbiemra. Kam parë aktgjykime që kanë qenë të 1981 të gjykatave serbe dhe kjo më shqetësoi mua”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka deklaruar se është e kot që dëshmitarët të quhen të mbrojtur, pasi sipas tij ata njihen me vite në Kosovë.
“Kush është ai që na i sjelli? Pse na i sjelli? Cili është? Komplet kësaj, vetëm do ta përsërisë edhe njëherë për të qenë i qartë për të gjithë. Se kuptoj as sot. Po e përsërisë dhe po ta them edhe njëherë. Harxhoni kot fjalë duke thënë se ka dëshmitarë të mbrojtur, sepse që pesë vjet këta emra janë përsëritur dhe po përsëriten në Kosovë”, ka thënë ai.
Më tutje, Haradinaj është pyetur edhe nëse kanë redaktuar emra në dokumentet që i kanë pranuar në zyrat e OVL-UÇK-së.
“Këto dokumente nuk janë tonat dhe dikush na i ka sjellë. Vetëm kaq, jo më tepër. S’kam qit asnjë dokument ku shihet ndonjë emër, ndonjë shkrim. Çfarë di unë me redaktuar. Je ka më ngarkon me kompetenca që i ke ti këtu. Po më ngarkon me kompetencat tuaja. Është kompetencë e juaja të i ruani dokumentet. Unë nuk kam pasur nevojë me publiku asnjë send, asnjë faqe se kam publikuar. Çfarë kam redaktuar kur s’kam publiku asgjë”, ka thënë ai.
Pas insistimit të prokurorit, Haradinaj i është drejtuar atij me fjalët: “mos e luaj rolin e budallës”.
“Zoti prokuror po më vjen keq që po më detyron me këto fjalë, mos e luaj rolin e budallës duke u bërë sikur s’po e dinë se çfarë thashë. Edhe njëherë kërkojë të ndërrohen përkthyesit se nuk po më kupton se çfarë janë duke thënë”, ka thënë Haradinaj.