‘Mos flisni aty ku nuk merrni vesh’, ‘Nuk të respektoj fare’, përplasen Murati dhe Hoti në Komisionin për Buxhet
Të premten është mbledhur Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, e ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Muratin, se pse që tre muaj nuk është zgjedhur ende Bordi drejtues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).
Hoti këtë e ka konsideruar si papërgjegjësi morale dhe institucionale nga ana e ministrit, për të cilin ka thënë se sot (e premte) është dashur të vijë me dorëheqje.
“Unë kam evidenca edhe kam me i bërë publike mjetet e trustit pensional që janë të investuara edhe në ato bankat që kanë falimentuar nëpër portfolio të ndryshme”, ka thënë Hoti mes tjerash, teksa i drejtohej Muratit.
“Si i sqaron ti kur këto kanë ra poshtë sepse nuk ka mundësi sepse nuk ka bord?” . “Mos ndërhyj, as mos u zgërdhi kur flas”, ka thënë Hoti.
Madje, ai i ka thënë Muratit që nuk e respekton fare, por që i duhet të flasë me të për shkak që është ministër.
Ndërsa Murati i përsëriti disa prej arsyeve që i kishte thënë më herët gjatë mbledhjes se pse është vonuar zgjedhja e këtij bordi.
“Sa i përket çështjes, e sqarova në fillim, e thashë që i kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për ta shpallur konkursin”.
“Shqetësimi im ka qenë kur kam parë që në listën e anëtarëve ka pasur më shumë anëtarë të huaj se sa anëtarë vendorë”, ka thënë Murati.
Murati ka thënë se kjo është përgjegjësia që ata e mbajnë dhe nuk mund ta zgjedhin një bord për hir të shpejtësisë e në shpinë të cilësisë, kur dihet që ai bord do të jetë afatgjatë. /EO
“