‘Mos fol palidhje’ – ‘Lidhje s’ki çka flet’: Agim Veliu ia ndërpret fjalimin deputetit të LV-së
Deputetët e pozitës e të opozitës janë përplasur sot në Komisionin Parlamentar për Media, në një debat rreth të drejtave të transmetimit të Premier Ligës.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu është përplasur me deputetin e LV-së, Besim Muzaqi.
Deputeti i LDK-së, Agim Veliu u shpreh se letra e 12 marsit 2024 të dërguar nga Liga Premier për kryetarin e këtij komisioni Valon Ramadani, nuk sqaron asgjë.
“Për mua kjo letër nuk sqaron asgjë në favor të argumenteve politike edhe sulmeve të ndryshme që një pjesë e këtij komisioni po i bënë ndaj anëtarëve të një organi kushtetues të pavarur. Këtu ka vetëm argumente politike e cilësime që për mua janë të papranueshme që njerëzit të cilësohen si bashkëpunëtorë të Serbisë, tradhtarë, shkelës të kushtetutës etj etj. Po flas në emër të tyre se disa pi shoh që as nuk po mbrohen”, tha Veliu.
Ai shtoi se çështja duhet të orientohet në kanalet që duhet, duke përmendur këtu mundësinë e krijimit të një Komisioni Hetimor Parlamentar ose t’i drejtohen Prokurorisë.
“Letra e datës 12 mars nuk ka sqaruar asgjë. Ta orientojmë problematikën në kanalet që duhet nëse është nevoja i propozojmë Kuvendit me kriju komision hetimor, ose e dërgojmë në prokurori dhe mos të merremi me kësi cilësime. Vendimi i KPM-së ka qenë një masë e përkohshme, dhe pas kësaj kanë marrë një vendim tjetër. Ne si komision nuk kem kapacitete dhe mundësi me konstatua nëse vendimi ka qenë i ligjshëm apo jo”, tha Veliu.
Pas tij fjalën e mori deputeti i LV-së, Besim Muzaqi. Muzaqi tha se Veliu pas ardhur që të merret me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Me gjasë kolegu paska ardhur me u marr me deputetët e LV-së dhe jo me KPM-në dhe çështjen. Ka qenë mirë me i lexu Agim, nëse si ke lexu po ta lexoj një paragraf të letrës të ardhur nga Liga Premier. “Premier Liga nuk e ka autorizuar Artmotion direkt të transmetojë ligën angleze në Kosovë dhe nuk e ka autorizuar Arena Sportin nga Serbia që përmes ArtMotion të shpërndajë ndeshjet e Premier Ligës në Kosovë”. Nëse për anëtarët e KPM-së nuk e di pse për ty nuk është e qartë Agim”, tha Muzaqi.
Derisa Muzaqi shtoi se nëse “aq shumë je në gjendje me relativizu qasjen që ka Serbia ndaj Republikës tonë dhe ka me vazhdu…” aty ndërhyri deputeti Veliu duke i thënë se “mos fol palidhje”.
Pastaj iu përgjigj deputeti Muzaqi: “Ti mos fol palidhje mos ndërhyjë. Unë e ti s’kemi nevojë mu mat kush ka kanar e jo”.
Agim Veliu sërish iu drejtua duke i thënë se “lidhje ski çfarë po flet”, ndërkaq Muzaqi i kërkoi që ta lejonte ta përfundonte fjalën e tij.
“Veç mos fol palidhje”, i tha Veliu, Muzaqit, ndërkaq ky i fundit i tha “ati je kanari që e cakton kush flet palidhje a”.