Mos gaboni mbi të vërtetën e UÇK-së
Shkruan: Ismet Haskaj
“Eprorët ushtarakë nuk shkruajnë, por dinë shumë mirë të lexojnë”, janë fjalët e para të Shemsedin Çekajt gjatë një bisede për përshkrimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Dukagjinit. Këto fjalë theksojnë që ndonëse shumë eprorë të UÇK-së nuk kanë qenë të angazhuar drejtpërdrejt në shkrime akademike ose dokumentime historike të luftës, ata kanë një aftësi të thellë për të kuptuar dhe vlerësuar shkrimet që janë publikuar mbi këtë periudhë.
Eprorët, si akterët kryesorë të ngjarjeve, e kanë përjetuar luftën drejtpërdrejt dhe, për ta, mbajtja e kujtimeve përmes intervistave dhe dokumentarëve është një proces i natyrshëm dhe i rëndësishëm për të ruajtur të vërtetat historike.
Sipas Çekajt, është normale që individë dhe pjesëmarrës të luftës të përpiqen të evokojnë kujtimet e tyre për ngjarjet që kanë përjetuar, qoftë përmes intervistave, dokumentarëve, apo formave të tjera të kujtesës kolektive. Kjo formë e përkujtimit dhe dëshmimit është një mënyrë për të ruajtur historinë për brezat e ardhshëm. Megjithatë, ajo që e shqetëson Çekajn dhe me të cilën ai nuk pajtohet, është se disa historianë, që shpesh mbajnë tituj të lartë akademikë dhe që veprojnë në institucione shtetërore me reputacion, lejojnë botimin e materialeve historike me pasaktësi të shumta. Këto vepra, që përfshijnë monografi, kumtesa, dhe libra të ndryshëm, shpesh kalojnë nëpër filtra akademikë, si redaktorë dhe recensentë, që teorikisht duhet të jenë përgjegjës për cilësinë e punimeve. Por, përkundër këtyre proceseve, Çekaj mendon se janë botuar vepra që përmbajnë gabime të mëdha faktuale, gjë që përbën një problem të madh për të kuptuarit e saktë të historisë.
Një tjetër epror i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Skënder Regjahmetaj, shume kohë me herët kishte ndarë të njëjtat shqetësime. Në shkrimet e tij të pabotuara, Rexhahmetaj citon: “Shumicën e shkrimeve të publikuara i kam lexuar dhe jo rrallëherë kam hasur në të pavërteta, të cilat kanë rezultuar në devijim të një ngjarjeje apo të një procesi…” Kjo deklaratë e tij nënvizon shqetësimin se shumë nga punimet dhe dokumentimet e periudhës së luftës janë të bazuara në informacione të pasakta ose të manipuluara, të cilat çojnë në shtrembërim të ngjarjeve historike.
Ky fenomen është shqetësues jo vetëm për eprorët dhe pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të luftës, por edhe për të gjithë ata që janë të interesuar për ruajtjen e saktë të historisë së Kosovës dhe për transmetimin e saj te brezat e ardhshëm.
Prandaj, është e domosdoshme që punimet historike të bazohen në fakte të sakta dhe të kontrolluara, duke përfshirë përvojat e drejtpërdrejta të atyre që kanë qenë pjesë e ngjarjeve, për të siguruar një histori të vërtetë dhe të drejtë për luftën e Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohet trashëgimia historike dhe të sigurohet që e vërteta të mbetet e pandryshuar.
Foto: Ismet Haskaj së bashku me Shemsedin Çekaj, i cili nga fundi i majt 1998 ishte zgjedhur komandant i nënzonës së Dytë të Rafshit të Dukagjinit që përfshinte fshatrat Irzniq, Ratishë e Epërme, Ratishë e Poshtme, Beleg dhe Kodral. Më 23 qershor 1998 ishte emëruar përgjegjës për operativ në Shtabin Rajonal të Dukagjinit. Me urdhër te ministrit Ahmet Krasniqi më 23 gusht 1998 emërohet ndihmëskomandant për Mbrojtje Territoriale ZOD.
Skënder Rexhahmetaj nga fundi i majit 1998 ishte zgjedhur komandant i Nënzonës së IV të Rrafshit të Dukagjinit që përfshiu fshatrat: Isniq, Lëbush, Dobuvik, Strellc i Ulët, Strellcë i Epërm dhe Prapaqan, shtrirje të mëtejme në Raushiq e Lugu Baranit.
Më 23 qershor 1998 ishte emëruar përgjegjës kundër njësive të blinduara të Shtabit Rajonal të Dukagjinit. Në Brigadën 138 “Agim Ramadani” ishte emëruar komandant i batalionit të III-të të këmbësorisë.
Pas luftimeve heroike te familjes Haradinaj në Gllogjan më 24 mars 1998 dhe ardhja e mbi 250 vullnetarëve të fshatrave të Deçanit me armatim me datën 12.04.1998 ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare në Dukagjin. Qe nga kjo datë u krijuan zona të lira të disa fshatrave: Irzniq, Gllogjan, Ratish, Lumbardhë, Dubravë dhe Gramaqel.
Më 26 maj 1998, në Gllogjan u mbajt mbledhja për caktimin e nënzonave dhe formimin e shtabit rajonal. Në mbledhje të gjithë përfaqësuesit e fshatrave me konsensuse të plotë morën vendim për themelimin e pesë nënzonave në Rrafshin e Dukagjinit.
I. “Nënzona e parë” më bazë në Gjllogjan, në komunën e Deçanit, e komanduar nga Ramush Haradinaj, e cila përfshinte fshatrat Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Dubravë, Baballoq, Prilep dhe Rastavica.
II. “Nënzona e dytë” me bazë në Irzniq, në komunën e Deçanit, e komanduar nga Shemsedin Çekaj, e cila përfshinte fshatrat Irzniq, Ratishë e Eperme, Ratishë e Ulët, Beleg dhe Kodrali.
III. “Nënzona e tretë” me bazë në Pozharë, në komunën e Deçanit, e komanduar nga Rrustem Teta, e cila përfshinte fshatrat Llukë e Epërme, Llukë e Ulët, Lumbardh, Dashinoc, Maznik dhe Vranoc.
IV. “Nënzona e katër” përfshinte zonën që ndahej nga lumi Bistricë dhe fshati Isniq në komunën e Deçanit, komandohej nga Skënder Rexhahmetaj, e cila përfshinte fshatrat Prapaqan, Strellc i Epërm, Strellc i Ulët, Dubovikë, Kryshec dhe Raushiq.
V. “Nënzona e pestë”, komandohej nga Adem Ukëhaxhaj në komunën e Deçanit, që përfshinte fshatrat Carrabreg, Voksh dhe Dranoc.
Më 21 qershor 1998 mbledhja e parë e nënzonave të zonës së Dukagjinit dhe Jabllanicës u mbajt në fshatin Irzniq në komunën e Deçanit.
Në mbledhje ishin të pranishëm komandantët e nënzonave; Ramush Haradinaj, Shemsedin Cekaj, Rustem Tetaj, Skënder Rexhahmetaj, Adem Ukehaxhaj, veprimtari Faton Mehmetaj si edhe Lahi Brahimaj dhe Nazmi Brahimaj, të cilët Ramush Haradinaj i prezantoi si përfaqësues nga shtabi i Jabllanices komuna Gjakovë. Qëllimi i mbledhjes ishte koordinimi i veprimtarive në zonën e Dukagjinit, nxitja e bashkëpunimit dhe krijimi i një organi të vetëm pune me në krye një komandant.
Mbledhja e 23 qershorit 1998 ne fshatin Jabllanic: krijimi i Zonës Operative të Dukagjinit dhe Shtabit Operativ të Dukagjinit.
Në mbledhjen e 23 qershorit 1998 në Jabllanic, Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimaj ishin dy kandidatët që u propozuan për postin e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit.
Pas diskutimeve, të pranishmit votuan për Komandant Ramush Haradinajn; Zëvendëskomandant Lahi Brahimaj.
Ndërkaq kryeshef i Shtabit – Sali Veseli; Zëvendës i Shefit të Shtabit – Rrustem Teta,
Përgjegjës për moral dhe politik – Mala (Alush Agushi)
Përgjegjës për shërbim informativ – Faton Mehmetaj
Përgjegjës për artileri – Rrustem Tetaj
Përgjegjës kundër njësive të blinduara – Skënder Rexhahmetaj
Përgjegjës për inxhinieri – Gani Gjuka
Përgjegjës për luftë diversante dhe antiterrorizëm – togeri (Idriz Bala)
Përgjegjës për logjistik – Besniku
Përgjegjës për operativ – Shemsedin Çeku
Përgjegjës për ndërlidhje – Agron Januzi
Përgjegjës për mbrojtje kimike – biologjike – Muhamet Berisha.
Janë këto disa data të rëndësishme për themelimin e Shtabit të Dukagjinit dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në veçanti për Zonën Operative të Dukagjinit. Kushdo që tenton t’i anashkalon nuk mundet, sepse janë të shënuara me gjakun e 582 dëshmorëve e qindra invalidëve dhe shumë personave të zhdukur e të masakruar për të ardhur deri të çlirimi i Kosovës.
Prishtinë, 24 tetor 2024