Mos kini frikë! Inteligjenca Artificiale do ta fuqizojë njerëzimin
Nga Reid Hoffman
Kohët e fundit kam kuptuar një mënyrë të re se si njerëzit po përdorin inteligjencën artificiale. Ata i kërkojnë ChatGPT-së: “Bazuar në gjithçka që di për mua, më vizato një pamje të asaj që mendon se duket jeta ime e tanishme.”
Si një lexues mendjesh në një panair, ChatGPT duket se përzien parashikime të sigurta me detaje më specifike. Shpesh prodhon imazhe të njerëzve të ulur në një zyrë shtëpie përpara një kompjuteri. Ndoshta në një cep gjendet një kitarë akustike apo një mace ngjyrë portokalli endet në sfond. Por ndonjëherë, në mes të tavolinës, mund të shfaqet diçka e pazakontë, si për shembull, një brokoli i madh.
Elemente të tilla të çuditshme janë ato që u japin këtyre portreteve jo vetëm një hijeshi të veçantë, por edhe momente epifanie. Duke përthithur përzierjen e gjerë të pyetjeve për punën, objektivat personale dhe gjithçka tjetër që përbën historikun tonë të bisedave me ChatGPT, sistemi zbulon modele dhe lidhje që mund të mos jenë menjëherë të dukshme. Në këtë mënyrë, këto portrete jo thjesht pasqyrojnë, por edhe zbulojnë. Përballë këtyre përshkrimeve, një përdorues mund të ndjejë nevojën të pyesë: A i përmend vërtet kaq shpesh perimet në bisedat e mia, saqë ChatGPT mendon se janë një pjesë qendrore e jetës sime?
Si anëtar i bordit të Microsoft dhe një nga financuesit e hershëm të zhvilluesit të ChatGPT, OpenAI, kam një interes të madh personal në të ardhmen e inteligjencës artificiale. Por interesi im nuk është vetëm financiar. Unë besoj me të vërtetë se duke u dhënë miliarda njerëzve akses në mjete të inteligjencës artificiale, të cilat mund t’i përdorin në çfarëdo mënyre që zgjedhin, ne mund të krijojmë një botë ku I.A. përforcon dhe amplifikon krijimtarinë dhe punën njerëzore, në vend që thjesht ta zëvendësojë atë.
Prandaj më duken kaq magjepsëse këto portrete të krijuara nga ChatGPT: Ato qartësojnë dhe dramatizojnë shqetësimet e vazhdueshme mbi identitetin dhe privatësinë në epokën dixhitale. Saktësisht sa gjëra kujton ChatGPT? – duket se pyesin, në mënyrë të nënkuptuar. Sa me maturi i përpunon këto kujtime dhe kush përfiton më shumë nga ky proces? Si përdorues i këtyre teknologjive, a ndihesh sikur po monitorohesh në mënyra që të bëjnë të ndihesh i ekspozuar, i kontrolluar dhe i manipuluar? Apo ndihesh i kuptuar?
Pak teknologji vërtet të fuqishme vijnë pa asnjë risk. Ndoshta palë të treta me motive dhe vlera të ndryshme nga tonat do të mund të fitojnë akses në të dhënat tuaja. Pasi të jenë në dijeni të modeleve të sjelljes suaj nga e kaluara, këto palë mund të jenë në gjendje të parashikojnë dhe të ndikojnë në vendimet tuaja të ardhshme. Edhe pse e pranoj që disa njerëz i shohin këto rreziqe si të pakapërcyeshme, nga përvoja ime personale kam zbuluar se ndarja e më shumë informacioni në më shumë kontekste mund të përmirësojë jetën e njerëzve.
Në shqetësimin tonë për dëmet e mundshme, është e lehtë të anashkalojmë shumë nga efektet pozitive që ka pasur teknologjia. Unë bashkëthemelova LinkedIn, një rrjet social profesional, më shumë se dy dekada më parë, dhe ende sot marr një rrjedhë të vazhdueshme mesazhesh nga njerëz që kanë gjetur punë, kanë nisur biznese ose kanë bërë ndryshime premtuese në karrierën e tyre falë ndërveprimeve që kanë pasur në këtë platformë. Dhe e gjithë kjo ndodh sepse ata janë të gatshëm të ndajnë informacion mbi përvojën dhe aftësitë e tyre, në mënyra që dikur konsideroheshin si të pamenduara dhe të papërshtatshme.
Skeptikët e teknologjisë kanë përdorur prej kohësh mbiemrin “Orwellian” për të etiketuar gjithçka, nga funksioni i rekomandimeve të videove deri te aplikacionet e navigimit, si kërcënime për autonominë individuale, por historia e inovacionit teknologjik në shekullin XXI tregon një histori tjetër.
Tek “1984”, romani klasik i George Orwellit për shtypjen shtetërore, ekrane të fuqishme i mundësojnë një regjimi totalitar të sundojë mbi një popull të privuar nga liria, me një pushtet të pakontrolluar. Por sot jetojmë në një botë ku identiteti individual është monedha kryesore e vlerës — ku si hidraulikët ashtu edhe presidentët aspirojnë të bëhen influencues në rrjetet sociale dhe ku fuqia kulturore po rrjedh gjithnjë e më shumë drejt operatorëve të pavarur, përfshirë perandorinë e një njeriu të vetëm në podcaste, Joe Rogan, yllin gjigant të YouTube, MrBeast, dhe aktivisten për të drejtat e njeriut, Malala Yousafzai.
Unë besoj se inteligjenca artificiale është në një rrugë drejt, jo vetëm vazhdimit të kësaj prirjeje të fuqizimit individual, por edhe drejt përmirësimit të saj në mënyrë dramatike.
Imagjinoni modele të inteligjencës artificiale të trajnuara mbi koleksione gjithëpërfshirëse aktivitetesh dhe sjelljesh dixhitale. Një I.A. e tillë mund të ketë kujtesë të plotë mbi transaksionet tuaja në Venmo, pëlqimet në Instagram dhe takimet në Google Calendar. Sa më shumë të zgjidhni të ndani, aq më shumë kjo I.A. do të mund të identifikojë modele në jetën tuaj dhe të nxjerrë në pah të dhëna që mund t’i gjeni të dobishme.
Dekada më vonë, kur të përpiqeni të kujtoni saktësisht se cilat ngjarje dhe rrethana ju çuan më në fund të investoni plotësisht në Bitcoin, inteligjenca juaj artificiale mund të zhvillojë një hipotezë të informuar, bazuar në një regjistër të detajuar të përditësimeve të statusit tuaj, ftesave, mesazheve direkte dhe fragmenteve të tjera të jetës suaj dixhitale që shpesh mezi i vëmë re kur i krijojmë, e jo më disa ditë, muaj apo vite më vonë.
Kur të përballeni me vendimin nëse është koha për t’u zhvendosur në një qytet të ri, I.A. juaj do t’ju ndihmojë të kuptoni se si kanë evoluar ndjenjat tuaja për shtëpinë përmes mijëra momenteve të vogla — gjithçka, nga tweet-et e irrituara për trafikun e përditshëm deri te ndryshimet dhe sa shpesh keni filluar të klikoni mbi ofertat e punës që ndodhen 100 km larg nga vendbanimi juaj aktual.
Për ata që zgjedhin ta përqafojnë këtë realitet të ri, mjetet që e bëjnë të mundur po shumohen dhe po evoluojnë me shpejtësi. Zhvilluesit e të gjitha përmasave po prezantojnë aplikacione dhe veçori që ju lejojnë të regjistroni, ruani dhe analizoni automatikisht pothuajse çdo gjë — ose gjithçka — që bëni në kompjuterin, telefonin dhe pajisjet e tjera. Në këtë mënyrë, këto të dhëna kthehen në materialin për një lloj “uni” të dytë, i cili mund t’u japë edhe më të shpërqendruarve mes nesh një aftësi për të rishikuar të kaluarën me një nivel detajesh, që edhe shkrimtari Marcel Proust do ta kishte zili.
Por kjo ndryshon më shumë sesa thjesht mënyrën se si ruajmë kujtimet tona. Ndërsa kritikët e Big Tech shpesh theksojnë se si I.A. mund t’u japë korporatave fuqi për të manipuluar ose diskriminuar njerëzit në bazë të të dhënave të tyre, ne mund të krijojmë gjithashtu I.A. të prpojektuar posaçërisht për t’u dhënë individëve më shumë aftësi për të nxjerrë njohuri nga të dhënat e tyre personale. Po sikur të kishit një I.A. që do të mund të analizonte modelet tuaja të shfletimit dhe t’ju paralajmëronte kur algoritmet e reklamave po ndikonin në vendimet tuaja të blerjes? Ose një I.A. që mund të zbulonte kur algoritmet e mediave sociale po e drejtonin vëmendjen tuaj drejt përmbajtjes gjithnjë e më ekstreme?
A humbasim diçka nga natyra jonë thelbësisht njerëzore nëse fillojmë të bazojmë vendimet tona më pak në intuitë, reagime të menjëhershme emocionale, fat, besim dhe mistikë? Apo rrezikojmë diçka edhe më thelbësore duke kufizuar ose madje duke hedhur tutje prirjen tonë instinktive për racionalizëm dhe iluminim intelektual?
Në një farë mase, të gjithë ne e ndjekim dhe e analizojmë veten dhe gjithmonë e kemi bërë këtë. Ne bëjmë lista detyrash dhe mbajmë ditarë për aktivitetet tona të përditshme. Peshohemi dhe regjistrojmë hapat e përditshëm ose numrin e kilometrave që vrapojmë, zakonisht në ndjekje të një lloj përmirësimi personal ose të paktën ndërgjegjësimi për veten. Në fund të fundit, ciklet e vazhdueshme të reflektimit, veprimit, vlerësimit dhe përmirësimit janë mënyra se si njerëzimi përparon dhe zgjeron vetë kuptimin e të qenit njeri.
Pra, imagjinoni një botë ku një I.A. e di që nivelet tuaja të stresit priren të ulen më shumë pas një seance loje “World of Warcraft”, sesa pas një shëtitjeje në natyrë. Imagjinoni një botë ku një I.A. mund të analizojë modelet tuaja të leximit dhe t’ju paralajmërojë se jeni gati të blini një libër që ka vetëm 10 për qind mundësi që ta kaloni faqen e gjashtë.
Në vend që të funksionojë si një mekanizëm kontrolli dhe pajtueshmërie nga lart-poshtë, I.A. mund të na ndihmojë të kuptojmë veten, të veprojmë sipas preferencave tona dhe të realizojmë aspiratat tona. Në këtë mënyrë, kujtesa e përsosur nuk është thjesht një mjet për të mbajtur mend të kaluarën.
Ajo bëhet një busull që na ofron një kuptim më të qartë të synimeve tona dhe përmirëson procesin tonë të vendimmarrjes. Ajo i shndërron gjurmët tona dixhitale nga regjistrime pasive të asaj që kemi qenë në burime dinamike që na ndihmojnë të formësojmë atë që duam të bëhemi — me një vetëdije më të madhe dhe me lirinë për të jetuar jetën sipas zgjedhjeve tona. / The New York Times – Bota.al
Z. Hoffman është bashkëthemelues i LinkedIn dhe anëtar i bordit të Microsoft.