Mosliberalizimi i vizave, politikë e padrejtë ndaj Kosovës!!!
Shkruan: Rreze Xhemajli
Kosova edhe pse vendi më pro evropian, ende mbetet shteti më i izoluar në Evropë.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës është një e drejtë themelore, dhe gjithashtu, shprehë qartë orientimin e Kosovës drejt vlerave evropiane. Bashkimi Evropian, është duke përdorë standarde të dyfishta në raport me Kosovën, për arsye se ka vënë disa mekanizma kushtëzimi të cilët nuk i ka zbatuar më parë me shtetet e tjera. Rrjedhimisht, ky proces është shndërruar në një proces politik, në vend që të jetë një proces teknik i përmbushjes së disa kritereve për lëvizjen e lirë.
Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Evropian për Kosovën, janë shumë zhgënjyese dhe të padrejta për qytetarët e Republikës së Kosovës. Në një stad final të procesit, i cili pranohet si i suksesshëm, Kosova kushtëzohet me disa pika të cilat kërkojnë angazhim afatgjatë. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, janë fenomene të cilat Kosova ka shprehur argumente dhe vullnet për t’i luftuar. Por, këto nuk janë probleme që mund të çrrënjosen brenda një kohe të shkurtër apo me afat, janë sfidë e cila kërkon veprim të vazhdueshëm dhe afatgjatë për luftimin e tyre.
Prandaj, është e padrejtë që Kosovës t’i vihen kushte për zgjidhjen e menjëhershme të problemeve, të cilat kërkojnë angazhim afatgjatë.
Në një shtet demokratik pushtetet janë të ndara, prandaj institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të marrin rolin e pushtetit gjyqësor, dhe me mekanizma jo gjyqësor të ndërmarrë veprime që bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerat evropiane- ndikimin apo presionin ndaj gjyqësorit. Institucionet e Kosovës, pa vendime të gjyqit, mes tjerash, të trajtojnë akuzat e një shteti okupator ndaj qytetarëve tanë për krime lufte, kur ende për ta nuk është marrë asnjë vendim gjyqësor.
Kjo do të nënkuptonte ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, gjë që do të binte ndesh direkt me vlerat e një shteti demokratik. Kjo në mënyrë të padrejtë është edhe pjesë e shqetësimeve të KE-së, të përmendura më lartë.
Gjithashtu në njërën nga pikat Këshilli Evropian kërkon forcimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë fetare si dhe të pjesëtarëve të pakicës rome. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është liberale që ndërthur të drejtat e njeriut dhe respektimin e pakicave me parimin e “diskriminimit pozitiv” ku pakicat kanë të drejta të avancuara, dhe pjesëmarrje në të gjitha nivelet e pushtetit duke filluar nga komunat e deri te pushteti qendror. Janë instaluar mekanizma ligjorë dhe institucional për mbrojtjen e monumenteve fetare.
Në asnjë nga shtetet e rajonit, të drejtat e pakicave nuk zbatohen as mbrohen sa në Republikën e Kosovës. Madje, Kosova mund të jetë shembull edhe për disa vende të BE-së, kur bëhet fjalë për trajtimin e pakicave, rreth përfshirjes së tyre në institucione qendrore e lokale, në jetën ekonomike, arsimore, kulturore, trashëgimi apo në media.
Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke marrë aprovim edhe nga Komisioni dhe Parlamenti Evropian, por Këshilli Evropian në politikën e përdorimit të shkopit dhe karotës, po përdorë vetëm shkopin për Kosovën, duke e ndëshkuar atë vazhdimisht. Mos përmbushja e premtimit nga ana e Bashkimit Evropian që pas kalimit të demarkacionit me Malin e Zi, do të ketë liberalizim për qytetarët, rezulton shumë zhgënjyese për qytetarët e Kosovës, duke ndikuar kështu në humbjen e besueshmërisë ndaj shteteve anëtare të BE-së.
Mos liberalizimi i vizave është duke ndikuar që vendi të humb në shumë segmente, sepse ky proces është jetik për qytetarët e Kosovës. Prandaj shtetet anëtare të Këshillit Evropian, duhet që sa më parë të respektojnë kushtet e marrëveshjeve ndërkombëtare, të plotësojnë pjesën e detyrave të tyre, të vlerësojnë objektivisht të arriturat e Kosovës, të heqin dilemat në fazën finale të procesit sepse kushtet janë plotësuar.
Izolimi i mëtejmë i qytetarëve të Kosovës, është i padrejtë dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.
(Autorja është master i Shkencave Politike)