MOS MA SHAJ LIRINË DONIKA GËRVALLA SHWARZ
Reagim me shkas ndaj deklaratave të ministres Gërvalla
Dr. Afërdita Dervishi Dedolli
Unë jam idealiste, se unë e dua atdheun tim, më shumë se gjithçka tjetër. Për dallim prej teje, unë e kam dashur dhe e dua Kosovën dhe shqiptarinë me vepra, e doja edhe kur ishte e uzurpuar edhe tashti që është e lirë, falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-s. Dhe, unë kam të drejtë morale e intelektuale të mbroj lirinë, sepse unë edhe kam vepruar për liri, si anëtare e LPK-së që ty të pengon aq shumë edhe i kam qëndruar besnike familjes Dervishi e Haxhiu që kanë dhënë gjak për këtë liri. Sot, po të drejtohem si intelektuale: MOS MA SHAJ LIRINË!!
Gjyshi im Ibish Dervishi, luftëtar i Mehmet Gradicës e Shaban Polluzhës, thoshte se ka dy lloj vdekjesh. E para, ishte vdekja përnjëmend, kur njeriu që shkon në amshim nuk le pasardhës (të denjë), nuk ka lënë ndonjë vepër të mirë që të mbahet mend nga të tjerët. E dyta vdekje, nuk ishte e njëmendët, që do të thotë se i vdekuri kishte lënë vepra të mira përmes të cilave emri i tij nuk vdes kurrë, dhe kishte lënë pasardhës të denjë pas vetes. Ti, moj, Donika Gërvalla, je pasardhëse veç figurative e babait dhe axhës tënd, sepse ata e dhanë edhe jetën për këtë tokë, e ti 24 hektar toke të vendlindjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës, ja fale Manastirit të Deçanit.
Gjithandej është i njohur nderi yt i bërë Serbisë, duke dorëzuar dosje kundër UÇK-së në Hagë. As kjo nuk të mjafton. As pozitat që ke nuk të mjaftojnë, sado që kemi qeshur me gafet e tua.
Me çfarë të drejte, ti, Donika Shwarz ofendon djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
Me çfarë fytyre, moj, ti, bën përpjekje të përdhosë vlerat sublime të dëshmorëve, të luftëtarëve të lirisë?
Kush je ti të merresh me gradat ushtarake të Ramush Haradinajt, kur dihet botërisht se në luftë gradat merren në bazë të meritave në luftë nga Shtabi i përgjithshëm. Ti nuk ke asnjë të drejtë të përflasësh as gradën më të lartë të Ramush Haradinajt, të dhënë nga Gjenerali i Armatës gjermane Klaus Reinhardt.
Dua të ta bëj me dije, ta përplas fytyrës moj, ty që nuk paske asnjë ndjenjë shqiptarie, se lirinë që e gëzojmë sot, e kemi falë sakrificës së gjatë të veprimtarëve siç ishte babai yt, i ndjerë Jusuf Gërvalla. Ai para se të vdiste i kishte thënë policisë gjermane: “Neve na vrau UDB-ja jugosllave”. Më tutje këta veprimtar u organizuan me shumë mund e sakrifica, duke bartur armë me krah, e duke i vrarë në kufi, siç u vra Komandant Kapuçi me 146 ushtarë e ushtare duke sjellë armët për të luftuar armikun shekullor. Këta veprimtar, që ndoqën rrugën edhe të babait tënd dhe shumë trimave tjerë, themeluan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe luftuan pa shtet e pa pushtet, për liri e pavarësi, për shtet, që emri jonë të shkruhet shqip dhe jo në cirilike, që në shkollat tona të mësohet për Skënderbeun e Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe jo për Karaxhorgjeviçët.
Derisa babai ty, ka marrë pjesë në nxjerrjen e gazetës “Liria”, “Lajmëtari i lirisë”, e më vonë “Zëri i lirisë” – që ishte fryma dhe shpirti i LPK-së, ti zonjë, asnjë shenjë nuk ke lënë as për lirinë, as për ndërtimin e Kosovës, as për paqen, dhe as për shoqërinë, përveç se ke mbajtur për katër vjet pozitën e ministres së jashtme të Kosovës, ku më shumë mbahesh mend për gafa e skandale, se sa për ndonjë punë me peshë. Ti, do të mbahesh mend për fjalorin fyes kundër atyre që na bënë ti themi vendit tonë Kosovë dhe jo Kosovo Metohija. Me fjalët e tua të pamatura, plotë mllef, burrat trima të Dubovikut, Deçanit e mbarë Kosovës, po distancohen nga ti, bija e heroit Jusuf Gërvalla.
Për dijeninë tënde, të tregoj se, UÇK-ja ka lind nga populli dhe është vlera jonë më e madhe që kemi pasur prej kohës së Skënderbeut. UÇK-ja është themeluar nga LPK-ja, pjesë e së cilës ishte edhe babi dhe axha yt, në një kohë kur Kosova ishte e pushtuar. Karakteri çlirimtar dhe pastërtia e luftës së UÇK-së i bindi shtetet perëndimore se e drejta ishte në anën tonë. Kurse ti Donika Gërvalla Schwarz, dorëzon dosje të rreme kundër UÇK-së në Hagë, për ushtrinë më të pastër që njeh historia!
Ti, duke sharë UÇK-në, shan nismëtarët e rrugës së lirisë duke filluar nga komiteti i Deçanit: Smajl Haradinaj-Ora, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Jashar Salihu-Shigjeta, Hasan Ukëhaxhaj-Drini, Abdullah Hasanmetaj-Shpati, Drita Kuçi – Guri; shan grupin “Shqiponja” të Deçanit në krye me Nasim Haradinaj me shokë, që punuan, vepruan e luftuan për tokën dhe lirinë që ti nuk e vlerëson.
Nuk mund të mos e them, paturpësinë e juaj ndaj vlerave të luftës, kur kjo qeveri nuk jap garanci për djemtë e UÇK-së që të mbrohen në liri!
Krejt në fund, më duhet ta them se kategoria e luftëtarëve dhe veteranëve të UÇK-së është kategoria më e përndjekur nga ti dhe qeveria jote, por mos harro se falë kësaj kategorie, sot, ti dhe qeveria jote, mbani postet e shtetit, që u ndërtua mbi vlerat dhe gjakun e UÇK-së!