MOS MA TRAZO DETIN
Arjana Fetahu Gaba
MOS MA TRAZO DETIN
Mos ma trazo detin me stuhi e fjalë,
E dua blunë të shtrihet qetë,
Kurrë mos mendo për asnjë çast,
Se kam frikë nga retë.
Mos ia ngri dallgët themelit,
Aty kam shpirtin, ruajtur në guaskë,
Si një perle rri e mbrojtur mirë,
E nuk do të flasë.
Mos ia zi ti pritën rrjedhës,
Të them, s’do të mundesh dot,
Sa herë fryhet, ajo dergjet qetë,
Dhe pse mund t’i shohësh lot.
Mos nis anije mbushur me zënka,
As nëndetëse fjalësh, që të të them ik,
Nëse mbi qerpik të së parës valë,
Rëra humbet nën leshterik.
Mos u kthe ti në pulëbardhë,
E di që qielli të fal liri,
Por mbi detin tim, në qiellin tim,
Ka veç një “fole” për dashuri.
AI QË KA IKUR, S’KA DASHUR TË RRIJË
Të kisha ditur se do të ikje si era,
Do ta hapja dritaren të dilje lehtësisht,
Të më kishe thënë unë s’do të qaja,
Jam një grua e fortë natyrisht.
Qaj kur më ikin dashuritë që më duan,
Qaj për largësitë që më vënë kufij,
S’mendoj se kush më harron,
Ai që ka ikur s’ka dashur të rrijë.
Mësohem me çdo gjë, e kush s’u mësua,
Jo gjithmonë mund ta ndryshoj fatin tim,
Po për ty e kam marrë lehtë e shtruar,
Biletën ta kam prerë pa kthim.
Autorja jeton në Garfield, Nju-Xhersi – USA