“Mos më ekstradoni, kam frikë për jetën”, Lulzim Berisha del para gjykatës në Spanjë
Kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka dalë këtë të martë para gjykatës në Spanjë, duke kërkuar që të ndalet procedura për ekstradimin e tij në Shqipëri, me arsyetimin se në atdhe mund ta ekzekutojnë.
Prokuroria ka kërkuar dorëzimin e tij te autoritetet në Shqipëri, ku do të vijojë gjykimi për dy ngjarje kriminale, por jo që të vuajë një dënim mbi 6 vjet. Por, Berisha është shprehur para trupës gjykuese se ka frikë për jetën e tij, pasi pret një hakmarrje të mundshme për veprimet e kryera në të kaluarën.
Pasi e bëri të qartë se nuk dëshironte të ekstradohej, Lul Berisha këmbënguli se ai ka frikë për jetën pas kthimit në Shqipëri, sepse siç pretendon ndaj tij janë realizuar 4 atentate.
Në raportin e saj, mbrojtja ka kundërshtuar ekstradimin dhe është ndalur te “kaosi” me të cilin Shqipëria ka bërë kërkesën për ekstradim. Avokati i kreut të Bandës së Durrësit i ka kujtuar Gjykatës se ka raporte të policisë që tregojnë se ai mund të jetë objekt hakmarrjeje për ngjarjet e së kaluarës.
“I hodhën granatë, donin ta vrisnin, i vunë bomba… Shtëpia e tij është goditur me antitank dhe atëherë ka pësuar lëndime në trup.”
Ndërkohë, Lul Berisha, i cili ka kërkuar azil në Spanjë, e ka përshkruar veten si një sipërmarrës. Ai ka treguar se familjes së tij i është dashur të strehohet në Suedi nga frika e hakmarrjes. 52-vjeçari po ashtu ka treguar se lirinë e ka përfituar pjesërisht nga një ligj amnistie i miratuar në Shqipëri dhe se Prokuroria shqiptare ka kërkuar mbylljen e hetimeve në lidhje me sulmin me bombë në ashensor për të cilin akuzohej
Sakaq, prokurorja e çështjes ka vënë në dukje se në lidhje me kërkesën për t’u mos ekstraduar për shkak të rrezikut për jetën, i është dorëzuar nga pala mbrojtëse vetëm një dokument i vitit 2015 që aludon për këtë rrezik, por që vlen vetëm për jashtë burgut.
“Kemi kuptuar se nuk ka frikë racionale në rastin kur lihet në duart e organeve të shtetit kërkues. Lidhur me hakmarrjen e mundshme të pretenduar nga mbrojtja, kjo mundësi është një ndjenjë e zakonshme njerëzore në shumicën e kulturave, por është kontradiktore që ai ta pretendojë këtë dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar largimin e tij të parakohshëm nga burgu.”
Lul Berisha ishte një nga emrat më të njohur të botës së krimit që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Ai u arrestua në dhjetor të vitit të kaluar në Alicante të Spanjës.
Siç shpjegohet nga Policia Kombëtare në kohën e arrestimit të tij në Alicante, të dyja vrasjet për të cilat akuzohet dhe ka kryer më parë një dënim, ishin pastrim hesapesh midis klaneve rivale që ndodhën në vitin 2005.