Mos u dorëzo kurrë, çika jem!
11 korrik 2022
| 10:19
Donika Dabishevci
Në nji vend ku ma shumë ta vlerësojnë bythën se shpirtin,
ku për tru tandin kush pesë pare si jep,
mos u dorëzo, çika jem!
Zhagitu, katrithu, rrëzohu,
lëpijë varrat, kthjellu e çohu –
veç mos u dorëzo!
Kurrë, asnjiherë, askund e për askend.
Për njeri t’gjallë mos ta ndien.
Msheli veshët, mos i ngo kuisjet e bërtit.
Zani le t’nihet n’kupë t’qiellit.
Nuk kanë me t’dashtë,
dihet ajo punë.
Janë msue me t’pasy e t’pagojë,
ama bash, punemadhe…
Tekefundit, kujt i duhen lajkat apo edhe medaljet –
t’marueme gjithnji për dele t’rrasuna n’mjerim shpirtnor.
Rri n’natyrën tande,
njeki andrrat, e mira e nanës…
Jepi, ec para,
forcohu e bahu gur,
mos u përkul, theje çdo mur
dhe kurrë, aman, mos u dorëzo kurrë!