Vatra të infeksionit, tubimet për ditëlindje, varrime e mbledhjet familjare
Mikrobiologu Lul Raka ka thënë se vatër kryesore e pandemisë është grumbullimi i njerëzve, të cilët po grumbullohen për ditëlindje, për varrime e për mbledhje të ndryshme në familje.
Ai ka bërë thirrje që të ruhet distanca dhe të ndalohet grumbullimi i personave pasi, siç është shprehur ai, vatër kryesore e valës së fundit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë kanë qenë personat josimptomatikë, transmeton “Zeri.info”.
“Bëj thirrje te të gjithë qytetarët, që të mos mblidhen në grupe në ditëlindje, në varrime e në mbledhje familjare, pasi paraqet rrezik për përhapjen më të shpejtë të virusit dhe ka mundësi që të mos identifikohet personi i infektuar, të mos ketë simptoma të virusit”, ka thënë Raka.
Ai ka shprehur shqetësimin për qytetarët, duke thënë se edhe lehtësimi i masave do të çojë në rritjen e numrit të të infektuarve dhe i porosit qytetarët që të mos hyjnë nëpër dyqane të vogla, të mos rrinë në vende pune ku nuk ka ventilim, të mbajnë distancë prej 2 metrave në mënyrë që të mos rrezikojnë jetën e tyre.
“Me lirimin e masave e kemi pritur që numri i të infektuarve do të rritet, andaj bëj apel që të mos hyjmë në dyqane të vogla, të mos rrimë në vende pune që nuk kanë ventilim, të mbajmë distancë 2 metra larg njëri-tjetrit sepse aty atëherë është rreziku”, ka thënë Raka.