Mos u merrni me Albinin e Zyrës së UÇK-së, merruni me Albinin kryeministër!

08 qershor 2022 | 14:28

Shkruan: Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Dikush për lisa, dikush për fshesa: Albin Kurti është në listën e veteranëve të UÇK-së dhe tash, kryesisht nga mllefi dhe inatet politike po bëhet përpjekje që të kundërshtohet ky status që mbanë nënshkrimin e bacës Adem Demaçi, si përfaqësues politik i Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, pjesë e së cilës, që nga fillimi ka qenë edhe Albin Kurti. Për shkak të korrektësisë më duhet ta them se ndonëse në atë kohë kam qenë sekretar i KMDLNj-së, në të njëjtën kohë kam qenë edhe pjesë e Zyrës së UÇK-së ku kam shkuar çdo ditë, së paku 2 deri në 3 orë. Tash, statusin e veteranit të UÇK-së për Albin Kurtin po përpiqen, unë e them pa asnjë argument, ta kundërshtojnë edhe ish-anëtarët nga kupola e LV-së sikur edhe disa politikanë që janë të pakënaqur, unë e them me të drejtë, me Albin Kurtin si kryeministër. Deri kur ishin bashkë, nuk e kundërshtonin Albin Kurtin si veteran, kurse tani ia kanë vënë epitetin si veteran i rrejshëm, veteran mashtrues dhe cilësime tjera që nuk përkojnë me asgjë me realitetin e asaj kohe. Opozita aktuale, më duhet ta quaj opozitë vetëm për ta respektuar terminologjinë politike e assesi për shkak se e bën ndonjë aktivitet opozitar, gabimin më të madh në kundërshtim të Albin Kurtit po e bënë duke luajtur në kartat se Albini qenka veteran i rrejshëm dhe antiamerikan. Jam dëshmitar i thuaja të gjitha ngjarjeve të asaj kohe dhe me përgjegjësi e them se Albin Kurti i asaj kohe sa ka qenë pjesë e Zyrës së UÇK-së, nuk e ka asnjë vërejtje në aspektin njerëzor, politik dhe kombëtar sikur që në asnjë rast nuk ka treguar mungesë guximi dhe gatishmërie për ta bërë sakrificën e kërkuar.

Ka qenë shoqërues dhe përkthyes i Bacës Adem Demaçi sikur, në një mënyrë edhe këshilltar, prandaj ka qenë i rrezikuar gjatë tërë kohës sa ka qenë me bacën. E ka shoqëruar bacën në të gjitha takimet me ndërkombëtarët, me gazetarë sikur që ka qenë shoqërues thuaja në të gjitha takimet e bacës me drejtues të UÇK-së në terren duke kaluar nëpër punkte dhe vendqëndrime të policisë dhe paramilitarëve serbë. Gjithashtu, Albin Kurti ka qenë shoqërues dhe përkthyes i bacës Adem në takimin e bacës me Robin Kuk në Shkup që prente bileta për pjesëmarrësit e Konferencës së Rambujesë. Është e pavërtetë e madhe dhe skajshmërisht e pandershme që Albin Kurti të akuzohet se ka dhënë dorëheqje nga Zyra e UÇK-së sepse ka qenë kundër UÇK-së dhe këtë e përdorin si arsyetim për ta luftuar politikisht Kurtin. E vërteta është se Albin Kurti , Skënder Kastrati  dhe Fexhrije Shala kanë dhënë dorëheqje shkaku se kanë kundërshtuar shkuarjen në Rambuje, e jo se kanë qenë kundër UÇK-së.

Aplikimet për status të veteranit të UÇK-së janë plotësuar dhe janë nënshkruar nga baca Adem Demaçi dhe aplikuesi vetëm e ka nënshkruar formularin. Edhe unë e kam pasur formularin e nënshkruar nga baca Adem Demaçi, por se nuk kam pranuar ta nënshkruajë prandaj kam mbetur pa status të veteranit, ndonëse kam qenë shumë aktivë në Zyrën e UÇK-së sikur që kam shpërndarë edhe armatim me Ahmet Haxhiun.  Kur patrioti, tash i ndjerë Shashivar Makolli ka ardhur me urgjencë në shtëpinë time me një listë nga Zyra e UÇK-së, kam qenë i tmerruar me disa emra që kanë qenë në atë listë. Atëherë baca Adem ishte në Sarandë dhe në një bisedë të gjatë telefonike kam kërkuar që kjo listë në asnjë mënyrë të mos dërgohet si e tillë. Në këtë kontekst, jam takuar me drejtues me ndikim të UÇK-së nga të cilët kam kërkuar që kjo listë të ngushtohet e që edhe është bërë. Janë përralla se baca Adem Demaçi në kohën kur Albin Kurti paska aplikuar për status të veteranit nuk ka folur me Albin Kurtin. E vërteta është se baca Adem raportet dhe kontaktet me Albin Kurtin i ka ulur nga raportet vëllazërore, në raporte miqësore që edhe ka qenë ftohje e raporteve. Këtë disa herë e ka thënë për mediat e kohës, kurse në atë kohë nuk ka pasur njeri me të cilin baca Adem nuk ka folur. Baca Adem edhe prej askushit është munduar të nxjerrë diçka të dobishme për kombin dhe shtetin e lëre më për Albin Kurtin të cilin e ka konsideruar personin më të afërt. Është çështje tjetër si është sjellë LV-ja dhe Albin Kurti me bacën Adem. Krejtësisht jokorrekt dhe në mënyrën më të ulët të mundshme.

Në kohën kur baca Adem, me propozimin e Bleron Baraliut ka hyrë në garë për postin e presidentit të Kosovës, LV-së ka qenë në opozitë dhe në bazë të asaj se çfarë ka bërë baca Adem për ta, por edhe vetëm si emër, baca Adem po të defilonte rrugëve të Prishtinës edhe me flamur të Serbisë, LV-ja, përkatësisht Albin Kurti do të duhej ta votonin, pa asnjë kusht për president e jo ta kushtëzojnë duke e pasur të qartë se Adem Demaçi ka qenë njeri të cilin nuk ka pasur mundësi ta kushtëzojë as Serbia e askush në këtë botë edhe me çmimin e jetës e lëre më për një post apo karrigë e cila, edhe ashtu ishte caktuar për Pacollin me angazhimin e plotë të krahut të luftës dhe mercenarëve si ambasadori Dell sikur edhe sekseri i Dellit dhe Pacollit, Pushikari. Këtu ishte ndarja dhe fillimi i rrugëtimit patologjik të Albin Kurtit për marrje të pushtetit, me çdo mënyrë, me të gjitha mjetet duke e shkërdhyer edhe vet Makiavellin në këtë fushë. Me bacën Adem në atë kohë kemi pasur raporte të shkëlqyera me Albin Kurtin dhe shumë herë kemi qenë në banesën e prindërve  të Albinit, Zaim Kurtit dhe Arife Kurtit të cilët meritojnë respekt maksimal për atë kohë. Baca Adem asnjëherë nuk i ka ndërprerë marrëdhëniet me Albin Kurtin sikur që edhe pas ftohjes së këtyre raporteve asnjëherë nuk e ka sulmuar publikisht e as privatisht Albinin. Jokorrektësia e Albinit ndaj bacës sot po i kthehet në formë të faturës që e ka pushtetin absolut dhe nuk di çka të bëjë me atë pushtet! Në momentin kur Albin Kurti dhe LV-ja kanë refuzuar ta përkrahin bacën Adem për president është edhe pikënisja e rrugëtimit patologjik të Albin Kurtit drejt majave të pushtetit dhe mendoj se çdo patriot i vërtetë është dashur të nxjerrë mësim nga ky veprim.

LV-ja dhe Albin Kurti, po ta përkrahte bacën për president, do të shkëputej nga partitë tjera që i kishin shitur shpirtin djallit duke pranuar që një personalitet njerëzor dhe kombëtar si baca Adem Demaçi të zëvendësohet nga një person që deri atëherë asgjë nuk kishte bërë për shqiptarët dhe Kosovën. Mos të hyjë edhe më thellë. Deri këtu Albin Kurti ishte pa asnjë vërejtje, andaj i dal në krahë në mbrojtje nga linçimet publike që po i bëhen sot si veteran i rrejshëm, antiamerikan dhe kundër UÇK-së, apo edhe frikacak që nuk ka guxuar të kapë pushkën apo të bëhet pjesë e luftës. Në atë kohë Albin Kurti 100 për qind ishte pjesë e luftës dhe 100 për qind ishte UÇK-së. Hiç nuk pajtohem me Albinin e sotit, por kjo ishte e vërteta për atë kohë. Dhe këtë të vërtetë do ta mbrojë sa të jem gjallë. Ka edhe shumë gjëra të tjera të pathëna, por çdo gjë shkon me kohën!

Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës: Po të kishte Kosova një opozitë efektive dhe efikase, Albin Kurti ose do të detyrohej të lëvizte përpara ose do të shkonte në shtëpi. Opozita aktuale as që është e interesuar ta marrë pushtetin edhe në rast se Albini do t’ua falte në tabaka. E Albin Kurti, jo që nuk do të heq dorë nga pushteti, por do ta mbrojë postin dhe karrigën sikur që e bëri këtë Salavdore Alende në Kil. Albin Kurti e ka marrë pushtetin në kohën më të keqe të mundshme, pandemia e shkaktuar nga Covid-19, lufta në Ukrainë dhe kriza globale ekonomike. I përballur me sfidën e detyrimit të marrjes së vendimeve, disa të trashëguara e disa të kohës, Albini është mbështetur për muri, me një hapësirë manovrimi minimal dhe thuaja pa shtegdalje. Më të Albini nuk ka ose, ose …, por vetëm të nënshkruaj atë që ia vënë para. Ukraina ia ka zgjatë jetën politike Albinit, e jo 51 për qindëshi i votave të fituara. Kjo përqindje, 51 për qind e votave të fituara  po i rri si gijotinë mbi kokën politike të Albin Kurtit dhe në çastin kur stabilizohet pjesërisht Ukraina, aktivizohet edhe gijotina! Pa asnjë dyshim se ndërkombëtarët do të angazhohen për një gjithëpërfshirje politike gjatë nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Një gjithëpërfshirje të detyrueshme që mund ta mbajë Albin Kurtin në pushtet deri në zgjedhjet e ardhshme, nëse duan ndërkombëtarët. Albin Kurtit nuk i intereson qeveria e as qeverisja sepse është mbi çdo qeveri dhe mbi çdo qeverisje.

Në qeverinë aktuale të Albin Kurtit që unë e quaj qeveri të baushtellës nuk bëhet gara se cili ministër është më  i mirë, por se cili ministër është më i dobët, cili ministër është i pakorruptuar, por se cili ministër është më pak i korruptuar, cili ministër është kundër nepotizmit, por se cili ministër ka punësuar më shumë familjarë dhe dosta, cili ministër është kundër tenderomanisë, por se cili ministër ka dhënë më shumë tenderë  njëburimorë. Në qeverinë aktuale nuk flitet më për patriotizmin, por se kush ka punësuar më shumë bijë dhe bija të ish-agjentëve të KOS-it , UDB-ës, si deputetë, si ambasadorë, në borde të ndryshme dhe pozita tjera kyçe. Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk iu intereson fare Kosova dhe qytetarët e saj, por i intereson Ukraina, Zielinski sepse ata po i mbajnë në pushtet aktualisht. Është një inflacion rekord, është një papunësi rekorde, qytetarët e Kosovës japin qindra euro ryshfet vetëm për të siguruar ndonjë termin për viza te disa ambasada në ndërkohë që kultivuesi i mirëqenies, që për mua është në lula flet për një shpërthim të zhvillimit ekonomik si asnjë shtet tjetër në Evropë! Kush është ai i marrë që e beson këtë përveç atyre që janë përfitues nga kjo situatë. Mali i Zi, vitin e kaluar i ka rritur rrogat 33 për qind kurse Kosova nuk i ka rritur as 00000.1 për qind kurse paska një zhvillim aq të madh.

Dhunohen pamëshirshëm të drejtat e pensionistëve kontributpaguaes të paraluftës të cilët përkundër angazhimit dhe kualifikimit superior trajtohen si pensionistë të moshës . Në mënyrën më të paskrupullt të mundshme dhe të pandjeshme dhunohen veteranët e luftës nga ata që luftën e kanë përjetuar vetë përmes “play – stacion” dhe se urrejtjen patologjike që e kanë pasur prindërit e tyre e manifestojnë përmes dhunuesve të shpërfaqur si bija dhe bijë të tyre, trashëgimtarë biologjikë. Për mua është jashtëzakonisht brengosëse dhe e papranueshme që me lehtësi aq të madhe kryeministri aktual cilësohet si mashtrues, rrenc, paranojak, i zi si futa, i marrë dhe i çmendur. Dhe këto cilësime nuk janë sporadike, por janë përhapur shumë, për fat të keq! Me këtë kolorit politik, Kosovën e presin ditë të zeza. Sot Kosovën  e drejtojnë persona pa histori të qëndrueshme kombëtare, pa integritet profesional dhe moral, disa prej tyre llaskucë permanent dhe që duan të qëndrojnë në pushtet duke e sulmuar të kaluarën dhe personalitetet  që e vulosën të kaluarën e që disa prej tyre po mbahen peng në llogorin në Hagë, kurse disa që e kanë pafytyrën e regjur si  shualli nga lëkura e buallit indian, duan të shkojnë e t’i vizitojnë ata.

Ky është Albini i sotit që është e kundërta e Albinit të Zyrës së UÇK-së që ishte shembull për çdo gjë. Me këtë duhet të merret opozita e jo me statusin e veteranit të rrejshëm të UÇK-së, antiamerikanizmit si dhe pallavra të tjera që vetëm sa e forcojnë Kurtin dhe Çetën e Profetëve Injorantë që i ka mbjellë në të gjitha institucionet duke sajuar një qark të mbyllur me informata kr5ejtësisht selektive për një rreth të ngushtë , të besueshëm apo servil ndaj liderit që ua ka mundësuar këtë që nuk e kanë parë as në ëndërr se do ta realizojnë. Nuk ka njeri që ka investuar në fillim në LV dhe në Albin Kurtin, si në aspektin e promovimit e sidomos në atë të përkrahjes materiale, bashkë me bacën Adem, por gjithashtu nuk ka rast që dikush është sjellë me më shpërfillje, me më të keq e madje edhe me hakmarrje se që e ka bërë Albini ndaj bacës dhe meje! Përkundër të gjithave, Zoti i ndihmoftë duke e kthyer në rrugë të mbarë dhe sinqerisht uroj që mos t’i ndodhë asnjë e keqe. Nëse kjo mjafton!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Musli Emini Gjatë javës së kaluar dhe gjatë fundjavës…