Mosanëtarësimi i Kosovës në KiE, Çitaku: Sërish fitoi pushteti e jo shteti!
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.
Çitaku ka thënë se edhe sot ka fituar pushteti dhe jo shteti.
“Sot, Kosova, qytetarët tanë, është dashur të festojnë pranimin në Këshillin e Evropës. Sot, do të duhej të konkretizonim një sukses që do të forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë – për të cilin është punuar gjatë. Pas përjashtimit të Rusisë në vitin 2022, PDK-ja ka insistuar që Kosova të bëhet pjesë e kësaj organizate, duke dhënë mbështetjen e saj të parezervë. Fatkeqësisht, për arsye të ditura tashmë, edhe kjo mundësi u humb, e nuk e dimë se kur do të na paraqitet prapë. Edhe një herë gjatë këtyre katër viteve, fitoi pushteti dhe jo shteti. Shkurtpamësi me pasoja të mëdha e të gjata. Keq – shumë keq!”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.