Mosarritja e konsensusit rrezikon procesin e dialogut me Serbinë

07 gusht 2018 | 17:21

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë me dije se mosarritja e konsensusit të gjerë politik rrezikon procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se me mospërfshirjen e opozitës dhe shoqërisë civile ky proces do të dalë i pasuksesshëm ose do të dështojë.

Haziri ka thënë se do të ishte mirë të arrihet një marrëveshje konsensusi për dialogun me Serbinë, për zgjedhjet e reja, për agjendën evropiane dhe për formimin e ushtrisë.

Ai ka mbrojtur qëndrimin e tij se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe ka bërë me dije se kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut me Serbinë. Haziri ka paralajmëruar se në vjeshtë Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja pasi, sipas tij, do të ketë angazhime intensive

“Epoka e re”: Z. Haziri, tashmë edhe në opinionin publik po flitet për korrigjimin e kufirit me Serbinë. E mbështet këtë ide Lidhja Demokratike e Kosovës?
Haziri: Dialogu Kosovë – Serbi është proces me të cilin po merret jo vetëm opinioni në Kosovë, por edhe faktori ndërkombëtar. Tani në Kosovë po përdoret shumë terminologjia ndarje dhe shkëmbim i territoreve, por këtu kemi të bëjmë më shumë me një proces normalizimi i cili në fund çon tek rishikimi i kufirit të vitit 1974 mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës me mundësi që Kosova Lindore në përputhje me referendumin e saj të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës. LDK-ja e ruan parimin e mosndryshimit të kufijve dhe ruajtjes së Kosovës së 17 shkurtit 2008. Tërësia territoriale, sovraniteti i Kosovës dhe respektimi i të drejtave të pakicave mbetet pjesë e politikës së LDK-së, politikë kjo e pandryshuar deri më tani.

 “Epoka e re”: Që do të thotë se nuk e përkrahni idenë për korrigjim të kufirit?
Haziri: Që do të thotë se LDK-ja nuk përkrah ide tjetër. LDK-ja nuk është pjesë e dialogut në formatin që presidenti Thaçi po e udhëheq. LDK-ja do të jetë opozitë në Kuvend dhe me mjete opozitare do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë mënyrë të dialogut. Ushtrimi i rolit opozitar në Kuvend do të jetë determinues për të ardhmen e dialogut.

“Epoka e re”: Këtë kundërshtim po e bëni për shkak se korrigjimi mund të ketë pasoja për vendin apo për shkak se ky proces po udhëhiqet nga presidenti?
Haziri: Si nënkryetar e kam ndarë mendimin tim, e mbështes qëndrimin e LDK-së sepse shumica mendojnë ashtu. Ndërsa personalisht si Lutfi Haziri mendoj se zgjidhja e problemit me Serbinë është territorial, pra duhet të definohet qartë territori dhe kufiri në mënyrë që mos të kemi probleme në të ardhmen. Serbia e sheh Kosovën problem territorial. Kosova për momentin është shembulli më i mirë sa iu përket të drejtave të komuniteteve pakicë, në këtë rast i komunitetit serb, sepse serbët kanë të drejta asimetrike karshi të tjerëve. Por se sa i shfrytëzojnë këto të drejta serbët është çështje tjetër. Prandaj Serbia është e pakënaqur me shkallën e të drejtave të serbëve në Kosovë, sepse Kosovën e sheh si preh territoriale dhe ky është raporti që duhet të definohet. Askush nuk është për dhe nuk bën të bëjë ndërrime klasike Mitrovicën me Preshevën, Bujanocin e Medvegjën. Të gjithë ata që flasin kështu dëshirojnë të çojnë kërcënim në proces dhe dëshirojnë ta frikësojnë popullin. Bistrica, Boletini, Mitrovica dhe Zveçani janë pjesë e pandashme prej Kosovës, por pjesë e Kosovës duhet të bëhet edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

 “Epoka e re”: Si mund të bëhet pjesë e Kosovës Lugina nëse nuk ka korrigjim të kufirit apo shkëmbim të territoreve?
Haziri: Kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Nuk duhet të frikësohemi, nuk duhet të çojmë frikë te populli, por duhet një konsensus sa më i gjerë politik, një format më gjithëpërfshirës në dialog ku është e kënaqur edhe opozita me statusin e saj. Para Serbisë duhet të dalim si delegacion unik, i  përgjegjshëm dhe shtetformues, duke paraqitur interesin nacional para interesave politike e partiake në mënyrë që të dalim sa më të suksesshëm nga dialogu. Në të kundërtën, Kosova mbetet kjo që është, nuk bëhet as më e mirë as më e keqe sepse 17 shkurti nuk mund të rikthehet mbrapa dhe Kosova e vitit 1974 është e pranuar ndërkombëtarisht.

 “Epoka e re”: Ju po thoni se në kuadër të dialogut Lugina duhet t’i bashkohet Kosovës, po ashtu po thoni se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës. Si do të jetë e mundshme që Serbia të pranojë që Lugina t’i bashkohet Kosovës pa marrë asgjë në këmbim të saj?
Haziri: Është çështje e saj çfarë ka në plan dhe çfarë kërkon. Për ne është shumë e qartë se çfarë kërkon Serbia. Serbia kërkon Kosovën në lumin Ibër në Mitrovicë dhe në lumin Morava në Gjilan. Dhe, deri këtu është duke e kontrolluar territorin në një formë apo në një formë tjetër. Por, kjo është e papranueshme dhe duhet bërë e qartë. Duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkon Kosova, çfarë është e jona dhe çfarë është e mundshme të realizohet. Se çfarë lyp Serbia është problem i saj. Edhe në Vjenë ka kërkuar dhe ka dashur shumë, por nuk ka marrë asgjë, edhe në kohën e Rambujesë krejt Kosova ka qenë e pushtuar nga forcat ushtarake e policore, mirëpo janë detyruar të largohen, janë demontuar politikisht, institucionalisht dhe ushtarakisht prej Kosovës. Nuk duhet të frikësohemi prej proceseve në tavolinë. Në tavolinë fitojmë gjithmonë sepse kemi fakte dhe argumente. Kosova duhet t’i frikësohet vetëm konfliktit eventual, sepse ushtarakisht Serbia është më e fortë jo vetëm se Kosova, por se shumica e shteteve në Ballkan.

 “Epoka e re”: Sa është e realizueshme mundësia që Lugina t’i bashkohet Kosovës?
Haziri: Duhet pasur vetëm vullnet politik dhe ëndrra e shqiptarëve të Luginës së Preshevës bëhet shumë shpejt realitet. Si duket, Prishtina zyrtare nuk e njeh mirë problemin e shqiptarëve të Kosovës Lindore, nuk e ndien politikisht dhe nuk është duke parë territorialisht rëndësinë e shqiptarëve dhe tokës së mbetur në Serbi. Kur ka qenë në pyetje demarkimi i kufirit të Kosovës me Maqedoninë ata i falën 800 hektarë tokë, për Çakorr tri vjet e gjysmë skena politike në Prishtinë ka organizuar demonstrata të dhunshme duke u frikësuar se Kosova po humbet një pjesë të kufirit me Malin e Zi, ndërsa kur vjen puna e demarkimit të kufirit me Serbinë ata mbjellin frikë të shqiptarët se po humbet veriu për Luginën e Preshevës. Shqiptarët e Kosovës si në Bistricë, në Boletinë, Mitrovicë, në Zveçan, në Gjilan e Istog janë brenda territorit të Kosovës dhe këtu më nuk është problemi. Por problemi është se ku kanë mbetur shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe këtu duhet të zgjidhet problemi dhe t’i vendoset pika.

“Epoka e re”: Mundësia e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën në kuadër të dialogut me Serbinë do të ndikojë te LDK-ja që të bëhet pjesë e këtij procesi apo përfundimisht LDK-ja në asnjë rrethanë nuk ndryshon qëndrim?
Haziri: Deri në këtë fazë qëndrimi i LDK-së është unik. LDK-ja nuk është pjesë e dialogut sepse nuk është arritur konsensusi në Kuvend. Kemi kërkuar që çështja e dialogut të vijë në Kuvend dhe pas një debati Kuvendi t’i vendosë parimet, formatin, agjendën dhe për pritjet e Kosovës nga ky dialog. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe me vetë faktin se organi më i lartë është anashkaluar prej dialogut. LDK-ja e ka parë veten jashtë këtij procesi. Kosova duhet të ndërtojë konsensus politik dhe duhet të hyjë e përgatitur në proces zgjedhor për të cilin detyrimisht në këtë vjeshtë do të ketë angazhime intensive.

“Epoka e re”: LDK-ja po kërkon që njëherë të mbahen zgjedhjet, pastaj të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë. A do të ketë kohë të mjaftueshme që të mbahen zgjedhjet, të krijohen institucionet e reja e pastaj të vazhdohet dialogu?
Haziri: Legjitimiteti para dialogut nuk është duke u shqyrtuar nga partitë që janë në pushtet, madje nuk është as duke u nënvizuar si kërkesë e LDK-së. Ne duhet të bisedojmë për zgjedhjet e planifikuara nëse jo atëherë mocioni i mosbesimit mbetet mekanizëm kushtetues që mund të iniciohet në çdo kohë dhe për 40 ditë vendi shkon në zgjedhje. Por aktualisht në Kuvend nuk e kanë shumicën as partitë që janë në qeverisje e as opozita. E mira e këtij procesi është që të gjendet një rrugë e mençur me anë të së cilës do të arrihet një marrëveshje konsensusi për dialogun, për zgjedhjet, për agjendën evropiane edhe për formimin e ushtrisë sepse këto janë procese të mëdha për të cilat pozita duhet të pajtohet detyrimisht me opozitën.

“Epoka e re”: LDK-ja do ta marrë përgjegjësinë pavarësisht prej epilogut të dialogut?
Haziri: Nuk ka qartësi. Ende formati i dialogut është vetëm në nivel të presidentëve dhe pritet që në shtator BE-ja si ndërmjetëse e këtij procesi të japë qartësi për formatin, agjendën dhe për oraret. Praktikisht deri në shtator kur do të ketë një qartësi të këtij dialogu, pozitat janë këto që i shpjeguam. Pozitat nuk i ka ndryshuar asnjëra palë.

“Epoka e re”: Mund të ndryshojë pozicioni i LDK-së në shtator kur pritet të ketë një dinamizëm të dialogut?
Haziri: Dialogu është i vetmi mjet për zgjidhjen e problemeve. Jemi pro dialogut për zgjidhjen e problemeve me fqinjët dhe pro dialogut për zgjidhjen  e problemeve të brendshme, por ky raport nuk ndryshon përderisa nuk kemi progres në atë që ne e quajmë zgjedhje të planifikuara apo edhe zgjedhje të parakohshme.  Mirëpo edhe më tutje jemi në pritje të zgjedhjeve të planifikuara.

“Epoka e re”: Ka rrezik që Kosova të dalë humbëse nga formati aktual i dialogut dhe veriu të fitojë një lloj autonomie?
Haziri: Kosova me mbështetjen e ShBA-së si partnere dhe me ndërmjetëse sikur BE-ja në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk mund të humbë sepse të gjitha faktet dhe argumentet janë në anën e Kosovës. Detyrimisht mosarritja e një konsensusi më të gjerë, mospërfshirja e opozitës dhe shoqërisë civile në dialog e rrezikon procesin dhe procesi do të dalë i pasuksesshëm ose do të dështojë. Ne kërkojmë që Serbia ta largojë Kosovën nga kushtetua serbe, të largohet nga miti i rrejshëm në mënyrë që të zhvillohet partneriteti i fqinjësisë së mirë dhe jo raporti i luftës. Është politikë e podrumeve nëse mendohet që serbët mund të shpallin ndonjë akt juridik në veri. Për ata nuk ekziston pavarësia e Kosovës dhe as Republika e Kosovës meqë, sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e tyre. Shqetësimi më i madh është se de fakto përmes kryetarit të Komunës së Mitrovicës veriore dhe koordinatorit të Listës Serbe ata e kontrollojnë veriun e Kosovës në çdo aspekt dhe kjo është e keqja. Në veri kemi të bëjmë me moszbatim të ligjit. Kosova shpenzon milionë euro në mirëmbajtje të blerjes së paqes politike dhe sociale, ndërsa me ato para lulëzon krimi i organizuar, korrupsioni si dhe mafia ruso-serbe. Problemin e kemi para hundëve, siç thotë populli, dhe ai duhet të lexohet dhe të zgjidhet drejt.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri Joe Hart edhe zyrtarisht është larguar nga Manchester City.…