Mosdekretimi i kryeprokurorit nga Osmani, reagon BE-ja
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka reaguar në lidhje me mosdekretimin e Blerim Isufajt nga presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Szunyogu ka thënë se duhet të merren parasysh deklaratat e Osmani, e cila ka bërë me dije se është kërcënuar për ta dekretuar Isufajn.
Më tutje, ai ka thënë se BE-ja pret që përzgjedhja e kryeprokurorit të bëhet duke u bazuar në merita dhe transparencë.
“Duke marrë parasysh deklaratën e presidentes për kryeprokurorin e shtetit, theksoj nevojën kritike për një proces përzgjedhjeje të bazuar në merita, transparent dhe të drejtë për pozitat brenda sistemit të drejtësisë. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të ruajnë me vendosmëri parimet dhe standardet më të larta të sundimit të ligjit në zgjedhjen e vonuar të kryeprokurorit të shtetit”, ka shkruar Szunyogu në “X”.