Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë, përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, ka bërë me dije se prej vitesh është dashur që Serbia të dënohej për gjenocidin e kryer në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se përgjegjëse për mosdënimin e këtij gjenocidi është politika e vendeve euroatlantike.
Sipas Krasniqit, mosdënimi e ka trimëruar presidentin, por edhe zyrtarët serbë, të cilët, duke i mohuar masakrat, po tregojnë se nuk kanë hequr dorë nga politika gjenocidale.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka bërë me dije se dialogu Kosovë – Serbi mund të rinisë, por me këtë mentalitet të politikës serbe ky proces nuk mund të sjellë ndonjë rezultat pozitiv.
“Serbia para disa vitesh është dashur të dënohej për politikat e gjenocidit që i ka udhëhequr në Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci. Deklaratat e fundit të Vuçiqit, por edhe të zyrtarëve të tjerë serbë, janë dëshmi se ata nuk kanë hequr dorë nga ato politika, bile në disa raste vetëm se janë trimëruar, siç është rasti me Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë. Mosdënimi i gjenocidit të Serbisë ishte dhe është përgjegjësi e politikës së vendeve euroatlantike”, ka thënë Krasniqi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)