Mungesa e printerëve u sjell vështirësi drejtorive komunale në Mitrovicë
Drejtuar nga kryetari i komunës, Agim Bahtiri, dhe në prani të nënkryetarit, Faruk Mujka, të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.
Fillimisht zyrtari kryesor financiar, Adem Fazliu, ka prezantuar qarkoren e brendshme buxhetore për vitin 2020/02, duke theksuar se qëllimi i saj është që drejtorët e drejtorive, zyrat dhe përgjegjësitë e programeve buxhetore të njoftohen me informata që kërkohen për fillimin e procesit të planifikimit të projektbuxhetit për vitin 2020 dhe parashikimet për 2021-2022.
Ai ka thënë se përgjegjësitë dhe autorizuesit për planifikimin dhe shpenzimin e buxhetit, sipas programeve buxhetore dhe kategorive ekonomike të shpenzimeve, janë bazuar në qarkoren buxhetore 2020/02 për komunat, të lëshuar nga Ministria e Financave me nr. të protokollit 1171 të datës 08.08.2019. “Ne si drejtori së shpejti do të lëshojmë edhe instruksionet për procesin e planifikimit buxhetor dhe si gjithmonë do të jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe në dispozicion. Do të mbajmë takimet konsultative me secilin drejtor, për shqyrtimin e kërkesave fillestare buxhetore për vitin 2020 dhe parashikimet për vitin 2021 dhe 2022 gjatë kësaj jave”, ka thënë Fazliu.
Si shqetësim i ngritur gjatë kësaj mbledhje ishte edhe mosfurnizimi me kohë i drejtorive komunale me printerë nga kompania e re e kontraktuar “N.T INFO COM” nga Autoriteti Qendror i Prokurimit, me ç’rast kryetari Bahtiri u shpreh i shqetësuar për mosimplementimin e kontratës pasi që mosfurnizimi me printerë na ka sjellë vështirësi të shumta gjatë kryerjes së punëve të përditshme në shërbim të qytetarëve tanë.
Në këtë mbledhje të bordit u diskutua edhe për sukseset e arritura nga vajzat e klubit të futbollit KFF “Mitrovica” të cilat po shkruajnë historinë në arenën ndërkombëtare të futbollit.
Me këtë rast Bordi i Drejtorëve aprovuan kërkesën e tyre e cila do të procedohet për Kuvendin Komunal për t’i mbështetur ato në shpenzimet e udhëtimit në vlerë prej 5 000 euro në ndeshjen e radhës në Gjermani.