Mosharresa në shërbim të kujtesës historike
Prof. dr. Sabahajdin Cena
(Me rastin e promovimit të librit “NATO Intervention in Kosova”, të prof. dr. Nusret Pllana, në shenjë të 19-vjetorit intervenimit të NATO-s në Kosovë)
Do të doja që sot në vendet ku ju jeni të ulur, të qëndrojnë këtu në këtë sallë Ukshin Hoti, Xhemajli Berisha, Besim Ndreca, Behajdin Hallaqi, Remzi Ademi, Xhevat Berisha e Jetullah Qarri e, në vend të rektorit të nderuar, të jenë këtu në mesin tonë edhe Fadil Vata, Jashar Salihu e Kasim Haxhimurati, që mbetën marathonomakë e pëllumba të lirisë, e do të doja që ata sot para nesh t’i flasin këtij auditori intelektualësh dhe akademikësh të tashëm e të ardhshëm.
Por, ja se jeta i paska ligjet e veta, që ne më shumë vështirësi, por edhe më po aq krenari i përballojmë, sepse në rrethanat normale të bijtë i përcjellin në botën e amshueshme prindërit e vet, ndërsa në një çmenduri të këtillë me të cilën po ballafaqohemi shumë shpesh nëpër vorbullat e historisë sonë, tash e gjashtë shekuj ne shqiptarët, prindërit që i kemi sot këtu, i përcollën në atë botë bijtë e tyre: Blerimin, Hashimin, Bekimin, Fitimin, Enverin, Muhametin, Hysniun, Sinanin, Sedatin, Isanë, Isakun, Agimin, Ismailin, me më se 250 banorë të Krushës së Madhe, me 125 banorë të Celinës, me 120 banorë të Fortesës, me 50 banorë të Nagavcit, me 65 banorë të Hoçës së Vogël, me 70 banorë të Brestovcit, me 30 banorë të Retisë, Zaçishtit e Apterushës, me 30 banorë të Randubravës, me 120 banorë të Krushës së Vogël, me 130 banorë të Tususit të Prizrenit, me 20 banorë të Landavicës, me 50 banorë të Korishës, me 150 banorë të Therandës e me shumë të tjerë nga Hasi me Has, andej e Has këndej Pashtrikut, prandaj Krusha e Madhe, e Bajram Currit dhe e Ukshin Hotit, gjatë këtyre ditëve u bë Aushvic e shkuar Ashvicit, e neve na mbetet që gjatë leximit të shkrimeve të prof. Nusret Pllanës, ta kuptojmë të kaluarën tonë të hidhur nëpërmjet dëshmitarëve që janë personazhe të shkrimeve e personalitete të jetës sonë politike, e njëri prej dëshmitarëve është “Djaloshi me dy zemra”, djaloshi pa njëzet e një pranvera, pra nëpërmjet Blerim Bajram Nallit, një libër të cilin e kemi përuruar kohë më parë në Prishtinë.
Nusret Pllana, gjatë hartimit të monografive të veta ma sillte imazhin e Odiseut të Homerit, i cili gjatë udhëtimit nëpër botën nëntokësore, pas Luftës së Trojesë, takohet me Agamenonin dhe me luftëtarët e rënë në Luftën e Trojës. Nusret Pllana, në një monografi takohet me Blerimin të cilin e ka dëshmitar okular dhe narrator të gjithëdijshëm prandaj rrëfimet e Blerimit të Bajram Nallit nga Krusha e Madhe e profesor Ukshin Hotit, janë rrëfime në emër të tërë rinisë shqiptare të dërguar në atë botë nga duart e kriminelëve që dëshironin për ta zhbërë Kosovën, vetëm e vetëm që të mos e kalojmë milionëshin sepse kështu e kërkonin planet e Garashaninit, Hartvigut, Akademisë dhe Kishës serbe dhe në fund kështu e kërkonte kryekrimineli, kryekasapi Slobodan Milosheviq.
Gjatë rrëfimeve të këtilla, Blerim Nalli, për shembull, në “Djaloshi me dy zemra”, rrëfen për lashtësinë ilire, për kohën e Skënderbeut, për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, për Lidhjen e Prizrenit, për luftërat e Sulejman Vokshit, për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për Bajram Currin dhe lëvizjen e kaçakëve, për Lidhjen e Dytë të Prizrenit, për patriotët e shquar të Krushës së Madhe, Nezir Hotin e Isuf Dellovën, për aksionin e mbledhjes së armëve, për demonstratat e vitit 1968, 1981, 1990 e për Ukshin Hotin, për masakrat në Drenicë, për heroizmin e familjeve Jashari, Haradinaj e Lleshi, për këngët e Muhamet Malësorit, të Nazmi Sejfullahut e të Sarandë Krasniqit, për recitimet e Blertës e për vargjet e vogëlushëve krushjanë se pa Ukshin Hotin nuk vjen liria. Dhe me të vërtetë, edhe ky cep i lirisë që e gëzojmë sot është i mëngët sepse ende nuk e dimë ku i kemi të vrarët, ende nuk dimë gjë për krematoriumet serbe, ende nuk dimë gjë për Ukshin Hotin që mbeti as i gjallë e as i varrosur.
Monografitë e prof. dr. Nusret Pllanës, pjesëmarrës të nderuar, mijëra faqe tekstesh e mijëra metra celuloidi të filmuar, kanë qindra komente e fjalë të redaktorëve e të recensentëve. Të gjitha këto janë të pajisur edhe me shumë fotografi familjare të martirëve, të dëshmorëve të kombit e të heronjve të cilët Nusret Pllana i pati bashkëluftëtarë të orëve të para të radhitjes në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në Shqiponjën e Fadil Nimanit-Tigrit, Agim, Sadri, Myrtë e Driton Zenelit. Pra, librat e Nusret Pllanës kanë një adresë të saktë të burimeve dhe të referencave, përfundime të shkurtëra dhe shënime për autorin, për prof. dr. Nusret Pllanën të cilit i shkoi rinia nëpër burgje, e në Luftën e Ushtrisë.
Çlirimtare të Kosovës, në katedrat e universiteteve e tash në fund edhe në fushën e informimit publicistik për t’i treguar botës me shkrime, me libra e me filma se në Kosovë me të vërtetë u bë një gjenocid i paparë dhe sot krushat, prizrenët, gjakovat, qyshkat, izbicat, mbeten aushvica e shkuar aushvicave.
Pra, në shkrime e filma të veçantë të kësaj odiseade nëpër botën nëntokësore ku shtegton profesor Pllana për ta takuar, për ta parë e për ta dëgjuar jo vetëm zërin e Blerimit në blerimin e pranverës, por edhe të shumë blerimëve të tjerë, jetojnë imazhe të tmerrit që na pati katandisur. Këtu janë prekur dhe shpalosur, jo vetëm anët e jetës apo të historisë së një njeriu, aq më pak të një të riu, i cili një ditë pa i mbushur njëzet e një vjet bëhet pjesë e vdekjes që kërkonte liria e kësaj pjese të atdheut tonë, por edhe gjeografia jonë e tkurrur. Po ashtu, në kapitujt e këtyre monografive janë trajtuar dhe realizuar aspekte nga më të ndryshmet, jo vetëm të atij rrafshi si i janë rrëfyer ngjarjet tronditëse.
Pra, tërësisht në vetën e parë, si i ka rrëfyer, për shembull Blerimi ngjarjet duke bashkëbiseduar edhe me të tashmen e jetës së tij, edhe me jetën e përtejme të tij, në mënyrë që të shpalohet gjithë dhembja, gjithë rrjedha historike e tragjedisë së Krushës së Madhe e të Kosovës, e cila edhe shpaloset në trajtën e një arkivi që lëshon ujë në formë rubinete dhe prej saj dalin të dhënat për lexuesin e informuar dhe të painformuar për atë se ç’ishim, ç’jemi sot e çka mund të jemi nëse shkelim mbi shenjat e kujtesës sonë historike, nëse na kapin përpara valët e një sëmundjeje që quhet harresë.
Pra, pjesëmarrës të nderuar, e këtillë është jeta, e këtillë është historia dhe e këtillë na doli gjeografia jonë kombëtare në këtë truall që quhet Kosovë e që dita më ditë po na tkurret e po na bëhet lëkurë-shqarthi duke filluar prej Kongresit të Berlinit e këtej, prandaj shenjat e kujtesës sonë historike duhet t’i mirëmbajmë, në të kundërtën e kaluara mund të na përsëritet.
Pjesëmarrës të nderuar,
Kjo që po promovojmë sot, është vepër më e re e prof. dr. Nusret Pllanës, pas të gjithë atyre shkrimeve duke filluar prej “Radio Kosovës së Lirë” e dëshmorit Agim Bardh Zeneli nga Shqiponja e Dushkajës e deri te “Djaloshi me dy zemra”, është fryt i një arkivi e i një shpirti erudit të cilin nuk e lodhi as burgu në kazamatet komuniste e serboçetnike, as lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj na mbetet që autorit t’i dëshirojmë jetë të gjatë, pleqëri të lumtur, punë të mbarë në përfundimin e të gjitha ndërmarrjeve që i ka nisur apo që i ka në plan për t’i nisur, bashkëpunëtorëve të tij t’u dëshirojmë suksese, e juve të gjithëve gajretin burrëror e kuvetin ashtu siç ju njoh, ashtu siç ju njoha në të gjitha protestat e deritashme, ashtu siç u njohëm gjatë periudhës së Ukshin Hotit, ashtu siç ju njoha gjatë luftës, prandaj edhe dëshiroj që t’i lexoni këto monografi e t’i shihni dokumentarët e prof. Pllanës sepse: “Veç nji qëllim i lartë të ban me durue
E zemrën ta forcon.
Ndër kundërshtime s’ vyen kur me u ligshtue
Mjer ai që nuk qëndron!”
Lavdi të gjithë martirëve anembanë fushëbetejave të trojeve etnike!
Lavdi të gjithë martirëve të Kosovës!
Lavdi martirëve të Prizrenit!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
Zoti ju forcoftë!