Moska akuzon Perëndimin për ‘kërcënim të ekzistencës’ së OSBE-së
Rusia deklaruar të mërkurën se shtetet perëndimore kanë tentuar që t’ua ndalojnë pjesëmarrjen zyrtarëve rusë në takimin e Këshillit Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që është nën sanksione evropiane, ka kërkuar leje që avioni i tij të fluturojë mbi hapësirën ajrore të Bashkimit Evropian, me qëllim që të marrë pjesë në takimin dyditor në Shkup, që nis të enjten.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë lejuar që avioni i delegacionit rus të kalojë në hapësirën e tyre ajrore, me qëllim që ai të marrë pjesë në takimin e OSBE-së.
Ukraina dhe shtetet e Baltikut kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në takimin e OSBE-së për shkak të pjesëmarrjes së Lavrovit. Këto shtete kanë argumentuar se Rusia nuk duhet të marrë pjesë në takim, për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar të Ukrainës.
“Ne shohim përpjekje nga një pjesë e Perëndimit për të bërë gjithçka të mundur që të pengohet pjesëmarrja normale e shtetit tonë në këtë takim”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Mendimi këtë herë, të paktën midis disa vendeve anëtare është se prania e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në takimin e OSBE-së në Shkup, mund të jetë e dobishme.
Ajo ka akuzuar disa shtete pa ua përmendur emrat se po kërcënojnë “vetë ekzistencën e organizatës, vetëm që të kënaqin ambiciet e tyre”.
Kur Polonia organizoi takimin e OSBE-së vitin e kaluar, ky shtet nuk e pati lejuar pjesëmarrjen Lavrovit, gjë që kishte nxitur një reagim të ashpër nga Moska.
Qiejt e Evropës janë të mbyllura për avionët rusë për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por Bullgaria dhe nikoqirja e takimit, Maqedonia e Veriut, kanë bërë përjashtim vetëm për fluturimin e këtij delegacioni rus.
Vendimi i Shkupit dhe Sofjes nxiti reagim të ashpër ndaj Ukraina, Estonia, Letonia dhe Lituania.
Në takimin në Shkup do të marrë pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Rusia ka thënë se nuk pritet një takim mes kryediplomatit amerikan dhe atij rus.
Ndërsa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk do të takohet drejtpërdrejtë me Lavrovin. /REL