“Moska duhet ndalur” – NATO planifikon strategjinë e re për Rusinë
NATO do të rishikojë politikën e saj kundrejt Rusisë. Lajmi konfirmohet nga Politico. Takimi i ministrave të mbrojtjes të NATO-s javën e ardhshme do të fillojë të ridimensionojë politikën e vjetër të aleancës për marrëdhëniet me Rusinë si reagim ndaj kërcënimit të paraqitur nga Kremlini, citon Politiko.
Marrëdhëniet NATO-Rusi prekën fundin pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Si përgjigje, NATO e cilësoi Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve”, ndërsa Kremlini pretendon se ajo që e quan zgjerimi i NATO-s drejt lindjes është një rrezik ekzistencial.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimit të tonit, NATO ende e mban gjallë “Aktin Themelues” me Rusinë. Është një dokument i nënshkruar në vitin 1997, gjashtë vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, që përcakton një qëllim të përbashkët për të “ndërtuar një Evropë të qëndrueshme, paqësore dhe të pandarë”.
“Është koha që tani të hartojmë një strategji të re në lidhje me pozicionet specifike të aleatëve”, tha zyrtari, citon Politico.
Më tej, zyrtari amerikan shtoi: “Tani për tani ne duhet të kemi një mirëkuptim në të gjithë aleancën se Akti Themelues dhe Këshilli NATO-Rusi u ndërtuan për një epokë tjetër, dhe mendoj se aleatët janë të përgatitur të thonë se ishte një epokë tjetër në marrëdhëniet tona me Rusinë dhe për këtë arsye nevojitet diçka e re”, shkruan A2.
Zyrtari tha se nuk ka ende një draft të strategjisë së re, pasi fokusi është në mbledhjen e pikëpamjeve nga të 32 vendet e NATO-s. Por ka edhe kontradita midis vetë aleatëve të NATO.
Dallimet lindin se sa larg duhet të shkojë NATO për të krijuar një grup të ri rregullash kur bëhet fjalë për Rusinë. Një diplomat i NATO-s tha se ka shqetësime midis disa anëtarëve se një strategji e re shumë agresive mund të dërgojë një “sinjal” që mund të destabilizojë Rusinë.