Moska: Gazetari amerikan i akuzuar për spiunazh, do të dalë në gjyq
Gazetari amerikan Evan Gershkovich, i cili është burgosur për më shumë se një vit në Rusi nën akuza për spiunazh, do të dalë në gjyq në qytetin e Yekaterinburgut, që ndodhet në Malet e Uralit, thanë autoritetet të enjten.
Hetimet për një prej akuzave ndaj gazetarit të gazetës Wall Street Journal kanë përfunduar dhe çështja e tij është paraqitur në Gjykatën Rajonale të Sverdlovskit, që ndodhet rreth 1400 kilometra në lindje të Moskës, sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë.
Zoti Gershkovich akuzohet për “mbledhje të informacionit sekret” me urdhër të CIA-s për Uralvagonzavodin, një kompleks në rajonin e Sverdlovskit, që prodhon dhe riparon pajisje ushtarake, tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm përmes një deklarate, duke zbuluar për herë të parë detajet e akuzave ndaj gazetarit amerikan.
Zyrtarët nuk dhanë asnjë provë për të mbështetur akuzat. Ata gjithashtu nuk dhanë ndonjë hollësi mbi datën e fillimit të gjyqit.
Administrata e Presidentit Biden është përpjekur të negociojë lirimin e tij, por Ministria e Jashtme e Rusisë tha se do të konsideronte një shkëmbim të të burgosurve vetëm pas vendimit të gjykatës për çështjen e gazetarit amerikan.
Zoti Gershkovich u arrestua gjatë një udhëtimi pune në Yekaterinburg në mars të vitit 2023 dhe ndaj tij më pas u ngritën akuza për spiunazh për Shtetet e Bashkuara. Gazetari, punëdhënësi i tij dhe qeveria amerikane i kanë mohuar akuzat dhe Uashingtoni e ka vendosur zotin Gershovich në listën e shtetasve amerikan të arrestuar në mënyrë të padrejtë.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë, FSB, pretendon se në kohën arrestimit, ai po vepronte sipas urdhrave të Shteteve të Bashkuara për të mbledhur sekrete shtetërore, pa dhënë asnjë prove për këtë akuzë.
Uralvagonzavod, një fabrikë shtetërore tankesh dhe trenash në qytetin e Nizhny Tagilit rreth 100 kilometra në veri të Yekaterinburgut, u bë i njohur në vitet 2011-12 si një bastion i fortë i mbështetjes për Presidentin Vladimir Putin.
Në dhjetor të vitit 2011, përgjegjësi i fabrikës Igor Kholmanskih, u shfaq në një program televiziv, gjatë të cilit presidenti Putin u përgjigjej telefonatave të qytetarëve, duke denoncuar protestat masive në Moskë në atë kohë, duke i quajtur ato si një kërcënim ndaj “stabilitetit” dhe ofroi që ai dhe kolegët e tij të udhëtonin në kryeqytet për të ndihmuar në shtypjen e tyre. Një javë më vonë, presidenti Putin e emëroi zotin Kholmanskikh si të dërguarin e tij në rajon.
Zoti Putin ka thënë se beson se mund të arrihet një marrëveshje për lirimin e gazetarit Evan Gershkovich, duke lënë të kuptohet se do të ishte i hapur për ta shkëmbyer atë me një shtetas rus të burgosur në Gjermani, i cili mendohet të jetë Vadim Krasikov. Ai po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e vitit 2019 në Berlin të një shtetasi gjeorgjian me origjinë çeçene.
I pyetur javën e kaluar nga agjencia e lajmeve Associated Press në lidhje me çështjen e gazetarit Gershkovich, presidentit Putin tha se Shtetet e Bashkuara “po ndërmarrin hapa energjikë” për të siguruar lirimin e tij. Ai u tha agjencive ndërkombëtare të lajmeve në Shën Petersburg se për këto çështje “nuk vendoset përmes fushatave të mëdha mediatike”, por përmes një “qasjeje të matur, të qetë dhe profesionale”.
“Dhe ato sigurisht që duhet të vendosen vetëm në bazë të reciprocitetit”, shtoi ai, duke aluduar për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve.
Evan Gershkovich përballet me 20 vjet burg, nëse shpallet fajtor.
Ai ishte gazetari i parë amerikan i arrestuar për spiunazh që nga viti 1986, pas Nicholas Daniloff-it të arrestuar në kulmin e Luftës së Ftohtë. Arrestimi i zotit Gershkovich tronditi gazetarët e huaj në Rusi, edhe pse vendi tashmë kishte filluar të miratonte ligje gjithnjë e më kufizuese ndaj lirisë së fjalës, pas fillimit të sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.
Djali emigrantësh sovjetikë, që u vendosën në Nju Xhersi, Evan Gershkovich e flet mirë rusishten. Ai shkoi në Rusi në vitin 2017 për të punuar për gazetën ‘The Moscow Times’ përpara se të punësohej nga gazeta amerikane The Wall Street Journal në vitin 2022.
Që pas arrestimit, zoti Gershkovich është mbajtur në burgun Lefortovo të Moskës, një burg famëkeq i epokës cariste, i përdorur gjatë fushatës së spastrimeve të Josef Stalinit, kur ekzekutimet kryeheshin në bodrumin e tij.
Ambasadorja amerikane Lynne Tracy, e cila e viziton rregullisht zotin Gershkovich në burg dhe ka ndjekuar seancat e tij gjyqësore, i ka quajtur akuzat ndaj tij “të trilluara” dhe ka thënë se Rusia “po përdor qytetarët amerikanë si pengje për të arritur qëllimet e saj politike”.
Që nga dërgimi i trupave në Ukrainë, autoritetet ruse kanë arrestuar disa shtetas amerikanë dhe shtetas të vendeve të tjera perëndimore, që duket se përdoren për t’i shërbyer propagandës ruse kundër Kievit dhe Perëndimit.