![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/05/61EE3520-715C-454F-BC72-AE1891397EAF_w1023_r1_s.jpg)
Moska nis testimin falas të qytetarëve për antitrupa të koronavirusit
Institucionet mjekësore në Moskë kanë nisur të kryejnë teste falas për të mbledhur informacione mbi praninë e antitrupave të koronavirusit te banorët e kryeqytetit rus.
Zëvendëskryetarja e Moskës, Anastasia Rakova, tha se qytetarët mund të regjistrohen në mënyrë elektronike në spitale, për të bërë testin e antitrupave.
“Takimi duhet të bëhet 14 ditë para [testit]. Rezultati do të jetë i gatshëm brenda tre ditësh”, tha ajo.
Spitalet në Moskë, sipas saj, mund të mbledhin deri në 5 000 mostra në ditë.
Njoftimi vjen pasi zyrtarët thanë se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Rusi ka rënë për të dytën ditë me radhë.
Në 24 orët e fundit, ata identifikuan 8 338 raste të reja me koronavirus dhe 161 viktima.
Në total, Rusia ka mbi 370 600 të infektuar dhe 3 968 të vdekur nga koronavirusi./rel/