Moska sekuestron asetet e kompanisë ‘Google’
Një gjykatë në Moskë ka sekuestruar pronën dhe ka ngrirë llogaritë bankare të nëndegës ruse të “Google”.
Këto veprime janë ndërmarrë si garanci kundër një vendimi të mundshëm gjyqësor pas ngritjes së padisë nga kjo kompani amerikane kundër një nëndege të kompanisë “Gazprom-Media”.
Gjykata e Arbitrazhit të qytetit të Moskës ka thënë më 26 prill se kishte vendosur gjashtë ditë më parë që të marrë asetet e “Google”, që kanë një vlerë prej rreth 500 milionë rublash (6.6 milionë dollarë).
Nëndega e “Gazprom-Media”, kompania “GPM Entertainment TV”, po e padit “Google” për refuzimin që të rikthej qasjen në kanalin e kësaj kompanie në “YouTube”.
Kjo kompani po ashtu po kërkon kompensim financiar për dëmet dhe po kërkon që t’i rikthehet qasja në llogarinë në “YouTube”.
Në fillim të marsit, disa ditë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, “Google” ka bllokuar kanalet në “YouTube” të disa mediave të financuara nga shteti rus në Evropë dhe ka çaktivizuar programin për fitime monetare të bllogerëve rusë, përfshirë në “YouTube”.
Presidenti i “Google” për çështje globale, Kent Walker, atëbotë kishte deklaruar për bllokimin e kanaleve se “në këtë krizë të jashtëzakonshme po ndërmarrin masa të jashtëzakonshme për të ndalur përhapjen e deizinformatave dhe për të penguar fushatat e dezinformatave online”.