Moskoordinimi me aleatët, Çitaku: Qeveria po e rrezikon tërë Kosovën
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
Sipas Çitakut, Qeveria çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“ShBA, Britania e Madhe dhe Gjermania publikisht demantojnë Ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës lidhur me vendimin e djeshëm për dezignimin e dy organizatave si terroriste. Kjo qeveri çdo ditë e më shumë po e rrënon kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Nëse për çështje kaq të ndjeshme të sigurisë qeveria nuk koordinohet me ShBA, U.K dhe Gjermaninë, e megjithatë deklarohet se ka pasur koordinim me ndërkombëtarët, pyetja është me kë janë bashkërenduar?!!! Me cilët ndërkombëtarë?”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Madje, ajo ka thënë se me qasjen aventureske të qeverisë nuk po rrezikohet vetëm veriu i vendit, por tërë Kosova.
“Me këtë qasje avantureske nuk po rrezikohet vetëm veriu i vendit, por tërë Kosova dhe gjithçka që është arritur me shumë mund dhe sakrificë”, ka shkruar Çitaku.