
Moslejimi i Thaçit në varrimin e babait, vjen reagimi i PDK: Kjo nuk është drejtësi – është persekutim i pastër
Përparim Gruda i PDK-së, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale që nuk e lejoi ish-presidentin Hashim Thaçi të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.
Gruda e ka cilësuar këtë vendim si jokushtetues dhe joligjor, duke theksuar se Kosova e ka themeluar këtë gjykatë me shpresën për drejtësi evropiane.
Ai ka kritikuar ashpër veprimet e Speciales, duke thënë se ato nuk kanë asnjë lidhje me standardet e një gjykimi të drejtë dhe se përbëjnë një persekutim të pastër, që është krejtësisht i papranueshëm.
Postimi i plotë:
Vendimi i Gjykatës Speciale për të mos lejuar presidentin Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij është jokushtetues dhe joligjor.
Kosova e themeloi këtë gjykatë me besimin se do të ofronte drejtësi evropiane. Ajo që po bën Gjykata Speciale sot nuk ka asnjë lidhje me drejtësinë evropiane dhe standardet e një gjykimi të drejtë.
Kjo nuk është drejtësi – është persekutim i pastër, krejtësisht i papranueshëm.