Mosmarrëveshje në mes të Hamiltonit dhe drejtuesve te Mercedesit
Lewis Hamiltoni e mbylli në vendin e tretë garën e fundit në Suzuka, pas shokut të vet të skuadrës te Mercedesi, Valtteri Bottas dhe Sebastian Vettel me Ferrari.
Një rezultat që ende nuk e lë të qetë pilotin britanik edhe pse ka kaluar një javë nga ajo garë. Ndërkohë, këtë fundjavë botërori i Formulës 1 do të s’postohet në Meksikë. Në prag të garës së radhës, Hamiltoni lëshon një sinjal të qartë: “Nuk e kuptova atë strategji në Japoni, që më kushtoi me vendin e dytë, madje me fitore. Gjithsesi, kjo është një çështje e skuadrës dhe ata morën një vendim. Shpresoj se këto gabime të mos përsëriten më”, ka thënë Hamiltoni.
Nga ana tjetër, Toto Wolff nuk është aspak i shqetësuar nga këto fjalë të kampionit të botës. “Është e qartë që pilotët duan të fitojnë gjithnjë dhe nëse dështon ata mërziten. Ndonjëherë është e vështirë t’i marrësh vendimet e duhura, por ky debat me Lewisin nuk na shqetëson, përkundrazi”, ka deklaruar Wolffi.