Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa buxhet të miratuar për shkak të mungesës së formimit të qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, nga i cili proces deri më tani është konstituuar vetëm Kuvendi i Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për “Radion Evropa e Lirë” se janë projektet e planifikuara nga bizneset dhe disa të tjera tashmë të mbetura gjysmë, po dëmtohen për shkak të mungesës së miratimit të buxhetit për këtë vit.
“Ndikimet janë në masë të madhe negative, jo vetëm për shkak të mosmiratimit të buxhetit, pasi që edhe të gjitha vonesat në krijimin e institucioneve janë shumë shqetësuese për klimën e të bërit biznes në vend”, thotë Rukiqi.
Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, tha për “Radion Evropa e Lirë” se buxheti për vitin fiskal 2020, vazhdon të zbatohet për dy muaj (janar, shkurt) duke u bazuar në Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.
Në këtë rast, sipas tij, në rast të mosaprovimt të Ligjit për buxhetin e vitit 2020, vetëm kuvendi me anë të një vendimi mund të autorizojë zgjatjen (vazhdimësinë) e Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar që i përket 1/12 e vitit të kaluar për këtë vit fiskal.
“Nëse zgjatja e përcaktuar me ligj për dy muajt e parë ose sipas një vendimit të kuvendit për tre muaj skadon dhe Ligji i ri për ndarjet buxhetore nuk është i martuar, atëherë asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim apo pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për ndarjet buxhetore. Këtu nuk hyjnë pagesat për larjen e borxhit publik”, thotë Shahini.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal. Viti fiskal, do të thotë periudha prej 1 janarit të një viti të caktuar deri më 31 dhjetor të të njëjtit vit.
Dëmtimin e bizneseve nga mosmiratimi i buxhetit e theksojnë edhe zyrtarë të Qeverisë në detyrë të Kosovës.
“Nga mosmiratimi i buxhetit dëmtohen bizneset pasi që kemi të bëjmë me qarkullimin e parasë, janë projekte të ndryshme nëpër shkollat që nuk mund të realizohen, por mbi të gjitha janë qytetarët e Kosovës që dëmtohen nga kjo”, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.
Agnesa Haxhiu, monitoruese e punës së Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për “Radion Evropa e Lirë” se mosmiratimi i buxhetit për 2020, po dëmton qytetarët.
“Të gjitha projektet kapitale që kanë qenë të parapara të zhvillohen nuk mund të fillojnë pa një ligj të ri. Nëse vijmë në situatën kur edhe deri në fund të muajit mars nuk kemi një Ligj të ri për ndarje buxhetore të këtij viti, atëherë nënkupton që asnjë organizatë buxhetore nuk mund të bëjë shpenzime dhe nënkupton që institucionet publike nuk mund të kryejnë asnjë funksion, pasi që nuk ka buxhet dhe ata që dëmtohen më së shumti në këtë rast, janë qytetarët e Kosovës”, thotë Haxhiu.
Haxhiu shton se pas dy muajve të parë të këtij viti, në rast të mungesës së një vendimi nga ana e kuvendit për zgjatje edhe për një muaj, do ta bënte më pas të kundërligjshme çdo pagesë dhe shpenzim nga çdo organizatë buxhetore.
Qeveria në detyrë ka miratuar vetëm kornizën afatmesme të shpenzimeve, dokument ky mbi bazën e të cilit do të duhej të hartohej buxheti vjetor për vitin 2020.
Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kornizës afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo 1 milion euro më shumë sesa buxheti i vitit 2019./rel/