
Mosndërtimi i “Kosova C” – pasojat energjetike dhe modeli i qytetarit aksionar
Shkruan: Prof.Dr. Ethem Çeku
Mosndërtimi i termocentralit “Kosova C” ka lënë Kosovën në një pozitë të dobët në raport me nevojat energjetike, me zhvillimin ekonomik dhe me sigurinë strategjike.
Sot, Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi një rritje prej 16% të tarifave të energjisë për konsumatorët familjarë, vendim që reflekton mungesën e kapaciteteve prodhuese vendore dhe varësinë e theksuar nga importi.
Gjatë stinës së dimrit, mbi 30% e energjisë elektrike në Kosovë mbulohet nga importi, shpeshherë me çmime të paqëndrueshme dhe të larta. Kjo situatë ka krijuar presion të drejtpërdrejtë për buxhetet familjare dhe ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e sektorit privat.
Rritja e çmimeve po prodhon një valë të re të varfërisë energjetike, e cila prek më së shumti familjet me të ardhura të ulëta dhe komunitetet rurale.
Mosfunksionimi i një strategjie energjetike të qëndrueshme ka kufizuar mundësinë për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për ndërtimin e një baze industriale.
Ndërkohë, termocentralet ekzistuese, sidomos “Kosova A”, janë ndër ndotësit më të mëdhenj në Ballkan, duke përkeqësuar cilësinë e ajrit dhe shëndetin publik.
Termocentrali “Kosova C”, i planifikuar për të përdorur teknologji më të pastra dhe më efikase, do të mund të kishte sjellë një kthesë të madhe, por mungesa e vullnetit politik dhe vendimmarrjes strategjike e la vendin në gjendje të thellë varësie.
Krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë, Kosova ka mbetur prapa. Maqedonia e Veriut ka planifikuar mbi 3 miliardë euro investime në energji të ripërtëritshme deri në vitin 2030. Shqipëria ka ndërtuar kapacitete fotovoltaike të mëdha në Karavasta dhe Spitallë, ndërsa Serbia po investon me ritëm të shpejtë në energjinë e erës dhe diellit, krahas modernizimit të rrjetit shpërndarës.
Për të dalë nga ky ngërç, Kosova duhet të eksplorojë modele të reja zhvillimi që përfshijnë qytetarët si partnerë të drejtpërdrejtë. Në shumë shtete të zhvilluara, qytetarët janë bërë aksionarë në projekte të energjisë. Në Gjermani, mbi 40% e energjisë së ripërtëritshme është në pronësi të koperativave qytetare. Në Danimarkë, një pjesë e madhe e turbinave të erës janë ndërtuar me kapital nga komunitetet lokale. Në Francë, platformat digjitale të investimeve kolektive kanë mundësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në projekte energjetike me investime të vogla. Edhe në SHBA, shtete si Kolorado, Minesota dhe Kalifornia kanë krijuar programe për të lejuar qytetarët të investojnë në “community solar projects” dhe të përfitojnë nga të ardhurat e tyre.
Kosova mund të ndërtojë një model të ngjashëm, krijimin e një Fondi Energjetik Qytetar, ku qytetarët dhe diaspora mund të investojnë në kapacitete të reja energjetike dhe të bëhen aksionarë. Ky fond mund të ofrojë aksione të vogla me kthim vjetor nga të hyrat e prodhimit, duke ndërtuar një ndjenjë të re të pronësisë kolektive dhe përgjegjësisë për zhvillimin e vendit.
Diaspora shqiptare, me potencial të jashtëzakonshëm financiar dhe emocional, mund të jetë partner i rëndësisë së veçantë në këtë nismë, duke lidhur kapitalin me nevojat strategjike të shtetit.
Rritja e sotme e tarifave është një sinjal alarmi që duhet të nxisë veprim konkret. Kosova ka nevojë për një kthesë strategjike në sektorin energjetik, jo vetëm për të ndërtuar termocentrale të reja a burime alternative, por për ta bërë energjinë pronë të përbashkët të qytetarëve të saj. Vetëm kështu mund të ndërtohet një e ardhme e sigurt, e pastër dhe ekonomisht e qëndrueshme.