Mosnjohja e Kosovës nga Serbia, Lajçak: Dialogu mënyra e duhur për këtë çështje
I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e BE-së nëse ka çështje të pazgjidhura me vendet fqinje.
Por, a duhet që Serbia t’i ketë kufijtë e saj të finalizuar me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Kosovën, në mënyrë që të pranohet si anëtare e BE-së?
“Kjo është diçka që do ta diskutojmë në procesin e dialogut. Dhe, sërish, roli im këtu është që ta lehtësoj këtë dialog dhe Bashkimi Evropian pret që të gjitha çështjet e mbetura të zgjidhen. Pra, ne nuk duam që të keni çështje të pazgjidhura, probleme të pazgjidhura. Dhe asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian nëse ka çështje të pazgjidhura me vendet fqinje”.
“Bashkimi Evropian vendos se kur një vend është gati të integrohet në BE. Roli ynë është të sigurohemi se nuk po sjellim ndonjë çështje të hapur, apo ndonjë problem në këtë proces. Ky është roli im dhe përgjegjësia ime”.
Emisari i BE-së për dialogun është i bindur se dialogu, ashtu siç edhe ka shkruar në letrën që i ka dërguar presidentit Hashim Thaçi, është rruga e vetme që të arrihen rezultatet në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë.
Por, çfarë thotë Lajçak për faktin se Serbia refuzon ta pranojë faktin se Kosova e ka shpallur Pavarësinë, është njohur si shtet i pavarur nga më shumë se 100 shtete dhe është pranuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare?
“Unë vërtetë besoj që dialogu është mënyra e duhur për ta adresuar këtë çështje, sepse unë vërtetë besoj në dialog. Unë jam një diplomat, diplomacia ndërtohet në dialog, kështu që kur ka qëndrime të ndryshme, mënyra më e mirë është të diskutohet e të gjinden zgjidhje”.
“Dhe kur shohim historinë e këtij dialogu – dikur dukej i pamundur, ndërsa tashti kemi rezultate konkrete, marrëveshje konkrete, të cilat janë duke funksionuar dhe janë duke u respektuar nga të gjithë, kështu që unë vërtetë besoj në këtë dialog, dhe vërtetë besoj se ky dialog mund të na ndihmojë t’i zgjidhim të gjitha çështjet. Dhe në fakt, ky është mandati ynë, është detyra jonë të zgjidhim të gjitha çështjet njëherë e mirë, dhe vërtetë besoj se mund t’ ia dalim”.
Lajçak në këtë intervistë për Rubikon të Klan Kosovës, që është e para për mediat kosovare prej kur e ka marrë postin, ka treguar se si do të jetë formati i punës – takime të përbashkëta, apo të ndara?
“Natyrisht që kam plan për këtë, siç e thashë, kjo është një punë me orar të plotë dhe unë do të qëndroj në Bruksel, do të zhvendosem në Bruksel, sapo të lejojnë rrethanat dhe të hapen kufijtë”.
“Natyrisht që do të jem në kontakt të përditshëm me partnerët e mi nga rajoni dhe do të sigurohem që Bashkimi Evropian të jetë i informuar se çfarë po ndodhë.
“Unë natyrisht do ta vizitoj rajonin, do të vij në Kosovë dhe do të sigurohem që Bashkimi Evropian të jetë i informuar gjatë gjithë kohës. Unë tashmë jam shumë i ngarkuar, dhe do të jem edhe më i ngarkuar sapo të fillojë dialogu i vërtetë. Dialogu i vërtetë natyrisht nënkupton që do të takohem me palët dhe do të diskutojmë çështjet, do të ketë negociata që do të zgjasin me orë të tëra”.