Mospajtime brenda KQZ-së për votat e diasporës, por aktgjykimi i Supremes do të zbatohet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur një mbledhje ku është diskutuar për aktgjykimin e Gjykatës Supreme për numërimin e fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se në bazë të këtij aktgjykimi janë të obliguar të numërojnë fletëvotimet nga diaspora.
“Në bazë të këtij aktgjykimi jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet nga diaspora. E kemi obligimin dhe nuk mendoj që kemi çka të diskutojmë. Na pëlqeu, nuk na pëlqeu do ta zbatojmë”, ka thënë ajo.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi ka pohuar se me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje. “Me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje. 1 mijë e 700 pako çka do të bëjmë që kanë ardhur më 17 tetor”, është shprehur Gashi.
Anëtari i LDK-së, Sami Hamiti, ka thënë se vendimi i Supremes është në kundërshtim me ligjin për zgjedhje.
Ndërkaq anëtari i LV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se vendimi është i drejtë. “Aktgjykimi nuk mund të diskutohet, unë konsideroj që është një vendim i drejtë”, është shprehur ai.