Mospajtime në Komisionin hetimor rreth deportimit të shtetasve turq
Komisionit Hetimor Parlamentar i ngritur për shqyrtimin e rrethanave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, i ka skaduar mandati pa arritur që të prezantojë para Kuvendit raportin përfundimtar.
Andaj, ky komision i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit zgjatjen edhe për një muaj të mandatit në mënyrë që të arrijë të përfundojë punën për të cilën është formuar.
Ky komision ka për qëllim të hetojë rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova më 29 mars të këtij viti.
Me kërkesë të autoriteteve turke, Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dëbuar për në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë është mjek.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti Xhelal Sveçla, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se tashmë ka përfunduar intervistimi i të gjithë dëshmitarëve që kanë pasur informata rreth këtij rasti dhe është i gatshëm draft -raporti përfundimtar, por afati shtesë, sipas tij, është kërkuar për shkak të disa mospajtimeve në mes anëtarëve të këtij komisioni.
“Jemi vonuar me punën tonë për arsye objektive dhe subjektive, për shkak të pengesave të ndryshme që kemi hasur rrugës. Dhe, kemi parë që për shkak të nivelit të lartë të punës, kemi nevojë edhe për një muaj shtesë”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka treguar se janë në pritje të një përgjigjeje nga Kryesia e Kuvendit, qoftë për vazhdimin e mandatit apo votimin në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se nëse Kryesia vendos për shtyrjen e afatit, atëherë do të rishqyrtohet edhe një herë raporti.
Në të kundërtën, sipas tij, raporti do të hidhet në votim në seancën e parë plenare të Kuvendit të Kosovës.
Përfaqësuesit nga shoqëria civile kanë thënë se ka bazë ligjore që Komisioni të kërkojë afat shtesë.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se duke marrë parasysh funksionimin e Kuvendit të Kosovës, është shumë vështirë që ky raport të procedohet në ndonjërën nga seancat plenare gjatë këtij viti.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës në vazhdimësi ka miratuar numër të madh të raporteve, por që nuk është garantuar asnjëherë se ato do të prodhojnë efekte të mëtutjeshme apo do të ndryshojnë një situatë të caktuar.
Megjithatë, Murati është shprehur se nëse ka prova të mjaftueshme në raport, gjithsesi duhet të fillojnë hetimet për këtë rast.
“Faktikisht, ky është një prej rasteve që është përmendur shumë në aspektin ndërkombëtar dhe ka vënë një hije të keqe për Republikën e Kosovës dhe kësisoj deputetët do të duhet që t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat që kanë në dispozicion për të kërkuar raportin dhe të gjeturat e raportit të materializohen në praktikë. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme edhe për nivelin e demokracisë në Republikën e Kosovës dhe mënyrën se si na perceptojnë edhe shtet tjera”, ka thënë Murati.
Komisioni hetimor, i cili është funksionalizuar në muajin korrik, deri tani ka intervistuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe ish- drejtorin e Policisë, Shpend Maxhuni, aktualisht drejtor i AKI-së, ish-drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, aktualisht sekretar në Presidencën e Kosovës, ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Bazuar në të dhënat e grumbulluara nga këto intervista dhe hetime tjera parlamentare, Sveçla ka thënë se beson se raporti përmban prova të mjaftueshme që Prokuroria të fillojë hetimet për shkelje ligjore rreth dëbimit të shtetasve turq.
“Sipas bindjes sime, ka prova të mjaftueshme që Prokuroria të fillojë hetimet për shkelje të ndryshme ligjore dhe të drejtave të njeriut, pasi aty vërehet qartë se ka pasur shkelje të te drejtave të njeriut, ligjeve, rregulloreve, por ka pasur shkelje edhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Deportimi i gjashtë shtetasve turq ,ishte zhvilluar përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të Inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.
Dëbimi i tyre kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës.
Gjashtë shtetasit turq, të dëbuar nga Kosova, Ankaraja i ngarkon me dyshimin se janë anëtarë të organizatës “Hizmet” të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen dhe e fajëson këtë të fundit se qëndron pas një tentim-puçi në korrik të vitit 2016.