Mospajtime për raportin e Qeverisë mbi dialogun me Serbinë
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike ka shqyrtuar Raportin e Qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi.
Kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, ka thënë se raportin në fjalë është aq i shkurtë saqë është e pamundur të nxirren përfundime rreth tij.
Në këtë kontekst, Osmani ka thënë se Qeveria duhet të japë shpjegime rreth këtij raporti.
Përkundër vërejtjeve, Osmani është pajtuar me të gjitha sfidat që janë përshkruar në raportin e Qeverisë për secilën marrëveshje që ka arritur Kosova me Serbinë për shtatë vjet dialog.
Ajo ka thënë se 90 për qind e marrëveshjeve të arritura me Serbinë nuk respektohen nga ana e shtetit fqinj.
Ndërsa deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se nuk është e pajtimit qe ky raport të procedohet më tutje në Kuvend, por në vend të kësaj sipas saj do të ishte më mirë që nga ky komision të jepeshin rekomandime për Qeverinë e mandej të dërgohet në Kuvend për debat në një prej seancave.
Në anën tjetër, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është me plot defekte.
Ai si shqetësim ka ngritur mosraportimin e palës kosovare për secilin takim të realizuar me palën serbe në Bruksel, e që sipas tij prej 40 takimeve atje në Kuvend është raportuar se paku vetëm pesë herë. (KK)