Mospajtime pozitë – opozitë, Haliti: Ministrja Gërvalla duhet të vjen në komision, jo nëpunësit civilë

02 gusht 2022 | 13:28

Formimi i një grupi punues për shqyrtimin e Projektligjit për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara ka nxitur mospajtime mes deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Delegimi i dy zyrtarëve civilë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në këtë mbledhje, sipas deputetit Haliti është i papranueshëm.

Ai ka thënë se në komision ka obligim të ardhjes ministrja Donika Gërvalla dhe jo ekspertë të ndryshëm që s’kanë përfaqësim politik.

“Në komisione e ka obligim ministrja të vjen, jo ekspertët. Mund të shqyrtojmë ligjin, të amendamentojmë dhe pranojmë, por ne nuk jemi komision teknik i qeverisë, ne jemi kontroll i qeverisë. Në komision për me prezantuar ligjin duhet të vjen ministrja. Unë nuk pranoj me biseduar me teknikë, pasi ata janë për të përpunuar ligjin që ua dërgon ministrja. Ajo e miraton ligjin në mbledhje të qeverisë dhe e sjell në Kuvend, në komisionet përkatëse. Nuk e di pse duhet ne me u fokusuar në çështjet që janë detyrë e qeverisë. Unë nuk pranoj me u ulë me nëpunës të ministrisë me fol, me ministren po, me tjetër jo”, ka thënë Haliti.

Mirëpo, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme nga radhët e Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka thënë se formimi i këtij grupi punues ka për qëllim që i njëjti të jetë funksional dhe i zbatueshëm.

“As ne nuk kemi marrë obligim ndaj grupit punues brenda ministrisë. Ne kemi bërë grup punues të deputetëve që kanë me ndjek çështjen. Në fund, qëllimi kryesor është që të del ligj i mirë, i zbatueshëm dhe funksional”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, deputeti Haliti ka thënë se ligji duhet të sillet gati në Kuvend dhe pastaj duhet të shqyrtohet në mes të dy leximeve.

Në debat është përfshirë edhe deputetja tjetër e LV-së, Fitore Pacolli, e cila ka thënë se kjo praktikë ekziston edhe në komisione tjetra parlamentare.

“Ne në komisionin për mjedis i kemi trajtuar rreth 30 projektligje, të cilat kanë ardhur dhe rreth 30 grupe punuese kemi pasur përfaqësues të ministrisë, përfaqësues zyrtarë ligjorë të Kuvendit dhe deputetë, kemi punu bashkërisht. Kjo është praktika”, ka thënë ajo.

Me gjithë kundërshtimet e deputetit Haliti, komisioni është pajtuar për formimin e grupit punues për Projektligjin për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AS Roma pritet të jetë një nga skuadrat më serioze…