Mospajtimet pozitë – opozitë bllokojnë ligjin për RTK-në
Projektligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK) nuk ka arritur të marrë miratimin e anëtarëve të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie për të kaluar në Kuvend.
Situata u krijua pasi që opozita ka kërkuar që të jepen përgjigje për vërejtjet që ka marrë ky projektligj nga Qeveria dhe institucionet përkatëse.
Si pasojë e kësaj, deputetët Imet Rrahmani, Arban Abrashi dhe Valon Ramadani u larguan nga mbledhja, duke pamundësuar mbajtjen e saj për shkak të mungesës së kuorumit.
Për dallim nga opozita, deputetët e pozitës kërkuan që ky projektligj t’i procedohet sot Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që vërejtjet dhe vlerësimet për këtë ligj të jepen në seanca plenare.
Imet Rrahmani ishte ai i cili e kundërshtoi më së shumti që Projektligji për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK) të procedohet në Kuvend, pa u shqyrtuar vërejtjet drejt tij. Sipas tij nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte hap i ngutshëm.
Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani duke i lexuar vërejtjet që kanë arritur në komision për këtë projektligj, tha se nuk pajtohet që të themelohet edhe një kanal i veçantë televiziv për diasporën e aq më pak që ky kanal ta ketë redaksinë e saj jashtë.
Sipas tij vërejtjet nga institucionet duhet të paraqiten edhe në Kuvend.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se nuk e di se kujt po i ngutet që ky ligj të kalojë në Kuvend.
Për deputeten e PDK-së, Xhevahire Izmakun ishte e panevojshme që projektligji për Transmetuesin Publik (RTK) të mos shkojë sot në Kuvend, ndonëse ajo shprehu vërejtjet e saj.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovci duke i treguar disa nga vërejtjet e tij, u shpreh se ky ligj ka shumë mangësi, dhe parapagimin përmes faturës së rrymës e konsideron si të dështuar.
Ndonëse, deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina fillimisht u pajtua që ky ligj të procedohet për në Kuvend pas këtij debati, ajo ndërroi mendje dhe kërkoi që të shqyrtohen vërejtjen e institucioneve për projektligjin për transmetuesin publik.
Ndryshe, në mungesë të kuorumit mbledhja u shty për ditën e mërkurë, ndërsa në rend dite për këtë mbledhje ishte paraparë edhe Projektligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.