Mosparaqitja e Kurtit në Prokurori, Haradinaj: Po e mbron hajninë

29 dhjetor 2024 | 12:38

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mosparaqitja e kryeministrit Albin Kurti në Prokurorinë Speciale është “dëshmi se kryeministri nuk është në anën e ligjit por në anën e të akuzuarve për korrupsion dhe vjedhje”.

Kreu i AAK-së ka akuzuar Kurtin për “mbrojtje të krimit dhe korrupsionit”, duke thënë se qëndrimi i tij tregon se ai është në anën e të akuzuarve dhe nuk i respekton thirrjet e Prokurorisë për të dhënë shpjegime.

“Lufta kundër korrupsionit ose hajnisë nuk është e lehtë. Ka qenë e vështirë gjithmonë, ka pasur shqetësime për korrupsion edhe në të kaluarën në të gjitha qeveritë edhe në qeverisjen time. Mirëpo, çdoherë zyrtarët shtetërorë, udhëheqësit e shtetit, kanë qenë me ligjin dhe në anën e prokurorëve”, tha Haradinaj për Ekonomia Online.

Ai e quan veprimin e Kurti si një mbështetje “për korrupsionin dhe krimin”, duke theksuar se kjo sjellje është një veprim i gabuar dhe i dëmshëm për shtetin.

“Është hera e parë në historinë e Kosovës, që kryeministri nuk është me ligjin e as me prokurorin, por është me hajninë, me të akuzuarit për hajni edhe kjo sjellja e tij e mosshkuarjes në intervistim është inkurajim për korrupsionin, për krimin e hajninë. Është veprim i gabuar dhe i dëmshëm për shtetin ligjor edhe na dëmton shumë planin ndërkombëtarë, sepse vlerësimi për shtetin ligjor të Kosovës dobësohet kur kryeministri nuk e respekton ftesën e prokurorit”, ka deklaruar Haradinaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Merita Makolli është kandidate e PDK-së në zgjedhjet parlamentare të…