Mospërdorimi i “cash”-it, shqetëson autoritetet qendrore në Suedi

20 shkurt 2018 | 13:18

Tabelat që shkruajnë “nuk pranohen paratë cash”,  po bëhen një pamje gjithmonë e më e zakonshme nëpër dyqanet dhe restorantet në Suedi, teksa të gjitha pagesat po shkojnë drejt digjitales dhe celularit.

Megjithatë, shpejtësia me të cilën po zhduket paraja fizike ka nisur të shqetësojë autoritetet. Një studim i gjerë i legjislacionit të bankës qendrore po mbikëqyr situatën dhe pritet të nxjerrë një raport në fillim të verës. “Nëse ky zhvillim ndodh shumë shpejt, mund të bëhet shumë e vështirë për të mbajtur infrastrukturën e menaxhimit të parave. Mund të futemi në një spirale negative që kërcënon infrastrukturën e parasë cash. Janë këto lloj problemesh që po vështrojmë më tepër ”, ka thënë Mats Dillen, deputeti në krye të rishikimit parlamentar, shkruan “scantv”. Suedia konsiderohet gjerësisht si shoqëria që përdor më pak paranë “cash”, në planet. Shumica e degëve të bankave në vend kanë ndaluar së pranuari monedhat fizike; shumë dyqane, muze dhe restorante tashmë pranojnë vetëm pagesat plastike apo me celular.

Një kafene në Stokholm që ka nxjerrë tabelën “Ky tani është një bar pa cash”. Por kjo ka një tjetër anë negative, që prek veçanërisht të moshuarit, të cilët nuk kanë akses në shoqërinë digjitale.

Vitin e kaluar, shuma e parasë në qarkullim ra në nivelin më të ulët që prej vitit 1990. Një studim i përvitshëm i publikuar në janar tregoi se vetëm 25% e suedezëve përdorin para për të blerë të paktën një herë në javë, ndërsa në vitin 2013 ishin 63%. Studimi zbuloi gjithashtu se plot 36% e njerëzve nuk përdorin kurrë para, ose paguajnë me to vetëm një ose dy herë në vit.

Si përgjigje, banka qendrore po vlerëson mundësinë e nxjerrjes së një forme zyrtare të valutës digjitale, një “e-krona”. Ideja është që “e-krona”,  të funksionojë si një shtesë e parasë fizike dhe jo ta zëvendësojë atë plotësisht.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK),…